Berisha thirrje për protestën e 24 janarit: “Natën do ta bëjmë ditë”

img 0882

Tiranë – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur fjalën e tij para Kryeministrisë, aty ku çdo të hënë organizohet “Foltoreja”, duke u bërë thirrje demokratëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës së 24 janarit.

Berisha e cilësoi këtë javë si vendimtare për organizimin e asaj që e quajti “protesta më e fuqishme që ka njohur Tirana ndonjëherë”, duke theksuar se qytetarët janë të vendosur të shprehin zemërimin dhe guximin e tyre përmes një kryengritjeje paqësore.

“Shqiptarët po presin me padurim revoltën, kryengritjen paqësore dhe fitoren e opozitës. Ata e presin 24 janarin si ditën e tyre, si të vërtetën e tyre të madhe,” u shpreh Berisha.

Ai kritikoi ashpër zhvillimet në Kuvend, duke i cilësuar si “provokimin më të ulët” ndaj qytetarëve, dhe shtoi se janë tejkaluar çdo normë morale dhe politike.

Sipas tij, protesta e dhjetorit ka pasur jehonë ndërkombëtare dhe zëri i opozitës shqiptare është dëgjuar “në të katër anët e planetit”. Berisha përmendi gjithashtu miratimin e një dokumenti në Komisionin e Jashtëm të SHBA-së, të cilin e cilësoi si pasqyrim të shqetësimeve për të cilat opozita ka protestuar dhe do të protestojë edhe më 24 janar.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të mos mungojnë në protestë, duke theksuar se ajo lidhet me dinjitetin njerëzor dhe të ardhmen e vendit.

img 0882

About The Author