Aksident fatal në kantier në Palasë: humb jetën një punëtor, shoqërohet drejtuesi i fadromës
Himarë, Palasë – Një aksident i rëndë në punë ka ndodhur sot në një kantier ndërtimi në fshatin Palasë, ku një punëtor 45-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit nga një fadromë.
Sipas informacioneve paraprake, shtetasi E. P., 26 vjeç, gjatë kryerjes së manovrave me mjetin e rëndë brenda kantierit, ka aksidentuar kolegun e tij K. H., i cili po punonte në të njëjtin objekt. Për shkak të dëmtimeve të rënda, 45-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Vlorës.
Policia e Himarës ka shoqëruar menjëherë drejtuesin e fadromës për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Autoritetet pritet të përcaktojnë në vijim nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e shkeljes së rregullave të sigurisë në punë apo faktorëve të tjerë teknikë dhe njerëzorë.
