Emma Dakoli, 9-vjeçarja shqiptare që pushtoi Italinë: fiton edicionin e 68-të të “Zecchino d’Oro”
Emma Dakoli, vogëlushja 9-vjeçare me origjinë shqiptare, ka triumfuar në skenën prestigjioze të festivalit italian Zecchino d’Oro, edicioni i 68-të, duke rrëmbyer çmimin e parë me këngën “Ci pensa il vento”.
Me interpretimin e saj plot emocion dhe vokalin e pastër, Emma arriti të fitojë zemrat e publikut dhe jurisë në Antoniano të Bolonjës. Finalja u transmetua në Rai 1 dhe u prezantua nga moderatori i njohur Carlo Conti, i cili e vlerësoi paraqitjen e saj si një nga më të spikaturat e festivalit.
“Ci pensa il vento” u shndërrua shpejt në një hit për publikun e vogël dhe të rritur, ndërsa Emma u dallua për energjinë, karizmën dhe interpretimin plot ndjenjë. Fitorja e saj përbën edhe një moment krenarie për komunitetin shqiptar në Itali, duke treguar edhe një herë talentin e fëmijëve shqiptarë në skenat ndërkombëtare.
Zecchino d’Oro, një ndër festivalet më të rëndësishme të muzikës për fëmijë në Itali, vazhdon të zbulojë talente të reja që emocionojnë publikun prej dekadash dhe këtë vit, në qendër të vëmendjes ishte Emma Dakoli.
