Biznesmen ekzekutohet me armë zjarri në Elbasan – Policia në ndjekje të autorëve
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme qytetin e Elbasanit, ku një biznesmen është ekzekutuar me armë zjarri në ambientet e biznesit të tij, në zonën e Unazës Jugore.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur pranë një karburanti, ndërsa viktima është qëlluar me armë nga persona ende të paidentifikuar. Identiteti i biznesmenit nuk është bërë ende publik nga autoritetet, teksa pritet konfirmimi zyrtar.
Forca të shumta policie kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, duke rrethuar zonën dhe duke sekuestruar pamje të kamerave të sigurisë për të ndihmuar hetimin. Ndërkohë janë ngritur pika kontrolli në të gjitha akset kryesore të qytetit, me qëllim lokalizimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për identifikimin e viktimës, motivet e mundshme dhe mënyrën e ekzekutimit, ndërsa policia u bën apel qytetarëve që të bashkëpunojnë duke raportuar çdo informacion të dobishëm.
Hetimet vijojnë…
