Maratona “Durrës 2025” sjell mbi 1 mijë garues në qytetin bregdetar

img 8048

Për herë të parë, qyteti bregdetar i Durrësit mirëpriti maratonën “Durrës 2025”, një aktivitet sportiv masiv që mblodhi mbi 1 mijë garues të moshave dhe kategorive të ndryshme, duke e kthyer qytetin në një qendër të vërtetë sporti dhe argëtimi.

Organizatori i aktivitetit, Taulant Stërmasi, tha se synimi është që kjo maratonë të shndërrohet në një traditë vjetore, me plane për të zgjeruar më tej distancat e garës nga 5 dhe 10 km në 21 km në vitet e ardhshme.

“Durrësi është një nga qytetet më të mëdha që ka Shqipëria dhe sigurisht që duhet të kemi prioritet, jo vetëm në nivel turizmi, por që sporti të jetë pjesë e tij – pra, turizëm sportiv. Si herë e parë, 1 mijë pjesëmarrës është një rezultat shumë i mirë. Vitin tjetër synojmë një maratonë edhe më të madhe”, – u shpreh Stërmasi.

Në garë morën pjesë dhjetëra atletë nga 18 shtete të ndryshme, duke i dhënë ngjarjes një karakter ndërkombëtar.

Në kategorinë kryesore të të rriturve, 10 km, triumfuan Bogdan Semenovych dhe Natalia Semenovych nga Ukraina, përkatësisht në kategorinë e meshkujve dhe të femrave.

“Kjo është hera e parë që marr pjesë në një event në Durrës. Kam qenë më parë në katër maratona në Tiranë dhe jam shumë i kënaqur për fitoren,” – tha fituesi ukrainas Semenovych.

Në vend të dytë u rendit Bledar Mesi, i cili e cilësoi garën si mjaft të fortë dhe të organizuar mirë.

Në kategorinë 1 km, e dedikuar nxënësve të shkollave të qytetit, fitues u shpall Klevis Dilo, nxënës në shkollën “Shaqe Mazreku”.

Atmosfera festive u plotësua nga pjesëmarrja e fëmijëve dhe mbështetësve përgjatë itinerarit të garës, duke e kthyer maratonën në një festë të madhe për qytetin. Për më shumë se dy orë, rrugët e Durrësit u mbushën me energji, ngjyra dhe emocione, në një ditë ku sporti dhe argëtimi u bashkuan për të dhuruar një përvojë të paharrueshme.

img 8048

About The Author