Rama për gjykatën e Hagës: E dalë nga shinat mbi të cilat u ngrit
Kreu i qeverisë Edi Rama, përmes një postimi në rrjete sociale ditën e sotme, 28 tetor, ka dalë edhe një herë krah ish-kreut të UÇK-së, Hashim Thaçi, lidhur me betejën ligjore të këtij të fundit në institucionet speciale të Hagës.
Rama shkruan filimisht për Gjykatën e Hagës, duke u shprehur se ajo “ka dalë nga shinat mbi të cilat u ngrit”, teksa shton “çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe më zi për shqipsharësit digjitalë”, për kundërshtimet që i bëhen figurës së Hashim Thaçit.
A nuk është e tmerrshme ta mendosh se shpëtimtarët e një kohe kur vetë ekzistenca e Kosovës ishte në tehun e thikës së gjatë të padrejtësisë historike ndaj shqiptarëve, duhet të paraqiten para një gjykate të dalë krejt nga shinat mbi të cilat u ngrit, për të dëshmuar se lufta për liri nuk është krim, se rebelimi ndaj një diktature nacional-socialiste nuk është faj, se shteti i ri e sovran i Kosovës nuk ka dalë nga barku i një ndërmarrjeje kriminale, po nga gjaku i një ushtrie çlirimtare?!
Çfarë turpi për drejtësinë ndërkombëtare dhe edhe më zi për shqipsharësit digjitalë, tifozë të verbuar prej budallakisë kinse patriotike, që edhe mbrapa hekurave të kësaj padrejtësie ulëritëse, e shohin dhe trajtojnë Hashim Thaçin si armik politik, duke uruar të mos dalë më kurrë prej aty; ndërkohë që kur atyre t’u jetë harruar nami e nishani dhe asaj gjykate t’i ketë mbetur vetëm njolla e turpit të historisë, emri i Hashimit do të mbetet përgjithnjë si emri i njeriut që u bë njësh me fatin, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”,shkruan Rama në rrjete sociale.
