Aksident tragjik në Vlorë: Humb jetën një 17-vjeçar pas përplasjes me makinë

img 7697

Një aksident i rëndë ka ndodhur pas mesnate në qytetin e Vlorës, ku një 17-vjeçar ka humbur jetën pasi u përplas nga një automjet që udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 00:10 në bulevardin “Ismail Qemali”. Sipas informacioneve zyrtare, automjeti me targë AB737UL, i drejtuar nga Haiti B., 32 vjeç, është përplasur me motomjetin me targë CA305, që drejtohej nga L.Sh., 17 vjeç.

Përplasja ka qenë shumë e fortë. I riu u transportua menjëherë me urgjencë drejt Spitalit Rajonal të Vlorës, por, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti të mbijetonte dhe ndërroi jetë pak pas mbërritjes në spital.

Drejtuesi i automjetit, Haiti B., është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për të sqaruar shkakun dhe rrethanat e plota të aksidentit fatal.

Sipas dëshmitarëve okularë, përplasja ka ndodhur me shpejtësi të lartë dhe ka qenë fatale për të miturin, i cili dyshohet se ka humbur jetën menjëherë pas goditjes.

Në spital ndodhen familjarët e 17-vjeçarit, të tronditur dhe të revoltuar nga ngjarja, të cilët pretendojnë se nuk po marrin informacion të qartë nga autoritetet. Trupi i të ndjerit është mbajtur për ekspertizë mjeko-ligjore (autopsi).

Policia apelon tek drejtuesit e automjeteve për respektimin e normave të qarkullimit rrugor dhe për kujdes maksimal në rrugë.

img 7697

About The Author