Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

img 7049

Bruksel, 13 tetor 2025 – Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar sot me Çmimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, një vlerësim që nderon kontributin e grave në ndërtimin e paqes, sigurisë dhe demokracisë.

Në fjalimin e saj, Presidentja Osmani tha se ky është një nder i veçantë dhe se çmimin ia dedikon popullit të Kosovës, në veçanti grave të Kosovës, të cilat me guxim, dinjitet dhe përkushtim ndihmuan në arritjen e lirisë dhe ndërtimin e paqes.

img 7051

“Është çmim për të gjitha gratë që nuk u dorëzuan kurrë, për ato që iu prinë protestave, luftës e ndërtimit të institucioneve, për kampionet e të drejtave të njeriut, për nënat që ende presin më të dashurit e tyre të zhdukur dhunshëm gjatë luftës, për të mbijetuarat të cilat kurrë nuk rreshtën së punuari për kauzën e drejtësisë, si dhe për vajzat e reja që sot udhëheqin çdo fushë me besim e vizion,” deklaroi Osmani.

Presidentja theksoi se paqja e Kosovës është ndërtuar mbi sakrificën dhe guximin e grave, ndërsa demokracia është forcuar falë angazhimit të tyre të pashoq.

img 7050

Ky çmim nga Asambleja Parlamentare e NATO-s përfaqëson një njohje ndërkombëtare të kontributit të grave të Kosovës në proceset e paqes, drejtësisë dhe barazisë gjinore, si dhe të përkushtimit të vazhdueshëm të institucioneve të vendit në promovimin e këtyre vlerave universale.

img 7049

About The Author