Reagime për dënimet ndaj sportistëve shqiptarë: “Shqiponja me duar është simbol kombëtar, jo urrejtje”
Screenshot
Në rrjetet sociale po qarkullon një peticion publik ku qytetarë dhe figura sportive shqiptare kërkojnë nga FIFA dhe UEFA që të ndalojnë dënimet ndaj sportistëve shqiptarë që festojnë me simbolin e shqiponjës me duar pas golave apo fitoreve në gara ndërkombëtare.
Sipas peticionit, simboli i shqiponjës është një shprehje e identitetit kombëtar shqiptar, e lidhur me flamurin kombëtar, dhe nuk ka asnjë lidhje me ekstremizma apo urrejtje etnike.
“Është simbol i flamurit tonë kombëtar dhe kaq! Ne jemi shqiptarë dhe kemi të drejtë të identifikohemi si të tillë. Të dënosh sportistët se festojnë me simbolet e tyre identitare është fyerje”, – thuhet ndër të tjera në tekstin që po shpërndahet gjerësisht online.
Autorët e peticionit u bëjnë thirrje autoriteve shtetërore dhe sportive shqiptare që të ndërhyjnë zyrtarisht në FIFA dhe UEFA, për të qartësuar se gjesti i shqiponjës nuk përfaqëson provokim politik, por është shenjë krenarie dhe përkatësie kombëtare.
Në reagimet e shumta të qytetarëve theksohet se dënimet ndaj sportistëve shqiptarë për këtë simbol janë të padrejta dhe diskriminuese, ndërsa kërkohet që Federata Shqiptare e Futbollit dhe institucionet shtetërore të mbrojnë publikisht këtë qëndrim në arenën ndërkombëtare.
Peticioni është duke marrë mbështetje të gjerë në rrjet, me thirrjen që sa më shumë qytetarë ta nënshkruajnë për të bërë presion që kjo praktikë të marrë fund njëherë e mirë.
