Aksion në Astir: Pallat 4 mijë m² në shkelje të lejes

img 6903

Aksioni i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit të Tiranës ka vijuar edhe këtë fundjavë, duke u fokusuar në zonat me densitet të lartë ndërtimesh pa kriter.

Këtë të shtunë, në njësinë nr. 14, në lagjen e Astirit, forca të shumta të Policisë Bashkiake mbështetën inspektorët e IMT-së gjatë ndërhyrjes për bllokimin e një pallati pothuajse të përfunduar. Objekti, me një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë ndërtim pa leje, rezultoi në shkelje flagrante të lejes urbanistike dhe të rregullave ndërtimore.

Sipas njoftimeve, është nisur procedura për shembjen e plotë të ndërtesës.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Blendi Sulaj, i pranishëm në aksion, theksoi se “paligjshmëria nuk ka vend në Tiranë” dhe se ndërhyrjet e IMT-së do të vazhdojnë me intensitet.

“U bëj thirrje të gjithë sipërmarrësve të respektojnë rregullat e ndërtimit. Kush shkel ligjin, do të përfshihet në ‘listën e zezë’ të bashkisë,” deklaroi Sulaj.

Bashkia e Tiranës ka paralajmëruar se aksione të ngjashme do të vijojnë në të gjitha zonat ku janë konstatuar ndërtime pa leje apo në kundërshtim me projektet urbanistike.

img 6903

About The Author