Edi Rama rikthehet në botën e artit: Galeria “Société” në Berlin e përfaqëson si artist ndërkombëtar
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po i rikthehet fuqishëm botës së artit, një fushë që e njeh mirë dhe që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës së tij. Galeria e njohur ndërkombëtarisht “Société” në Berlin ka njoftuar se tashmë përfaqëson zyrtarisht Ramën si artist, duke i hapur rrugën drejt ekspozitave ndërkombëtare, raporton revista prestigjioze ARTnews.
Ky bashkëpunim përbën një hap të rëndësishëm në karrierën artistike të Ramës, duke shënuar një rikthim më të plotë në botën e krijimtarisë. Në fokus do të jenë punimet e tij në qeramikë dhe veprat abstrakte mbi letër, shpesh të realizuara mbi dokumente zyrtare të ricikluara.
Rama, i cili ka studiuar dhe më pas ka dhënë mësim në Akademinë e Arteve në Tiranë, nuk është i panjohur për artin bashkëkohor. Në vitet ’90 ai ka punuar si artist në Paris, përpara se të kthehej në Shqipëri në vitin 1998 për të marrë detyrën e ministrit të Kulturës.
Sipas ARTnews, përfshirja e Ramës në listën e artistëve të përfaqësuar nga “Société” ka qenë një surprizë edhe për njohësit e artit. Ai i bashkohet emrave të njohur si Trisha Baga, Lu Yang dhe Petra Cortright.
Vitin e kaluar, Galeria Marian Goodman në Paris ekspozoi punët e tij, përfshirë skulptura qeramike me ngjyra të forta dhe vepra abstrakte mbi faqe kalendarësh apo letër-muri shumëngjyrëshe.
Një profil i Ramës në Financial Times në vitin 2016 përmendte lidhjen e tij të thellë me artin – nga zyra e mbushur me lapsa me ngjyra dhe vizatime të përditshme, deri te pasioni për krijimtarinë që ai thotë se e ka trashëguar nga gjyshja e tij.
Në galerinë “Société”, Rama pritet të prezantojë një koleksion të ri veprash, të krijuara përgjatë dekadës së fundit, gjatë momenteve të reflektimit apo takimeve të gjata.
