57-vjeçari humb jetën në një kantier ndërtimi në Durrës, procedohet drejtuesi teknik
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në qytetin e Durrësit, ku një punëtor ndërtimi ka humbur jetën gjatë kryerjes së punimeve në një objekt ndërtimi.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, viktima është shtetasi Sh.B., 57 vjeç, banor i Durrësit, i cili ka rënë nga lartësia e pallatit ku po punonte. Si pasojë e dëmtimeve të rënda të marra, ai ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë mbërritur në kantier, ku kanë kryer veprimet e para hetimore për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.
Në lidhje me këtë rast, është proceduar penalisht në gjendje të lirë drejtuesi teknik i firmës së ndërtimit, për shkelje të rregullave të sigurisë në punë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme ligjore për këtë ngjarje tragjike.
