Tragjedi në Mesdhe: Të paktën 40 migrantë humbin jetën pas mbytjes së një varke në brigjet e Tunizisë

img 7418

Të paktën 40 migrantë të parregullt nga Afrika Sub-Sahariane humbën jetën të dielën, pasi varka me të cilën po udhëtonin u mbyt në brigjet e qytetit Mahdia, në Tunizi. Ngjarja tragjike përbën një nga fatkeqësitë detare më vdekjeprurëse në Mesdhe gjatë këtij viti.

Sipas raportimeve të agjencisë italiane ANSA, rreth 70 persona ndodheshin në bord në momentin e aksidentit. Njësitë e rojes bregdetare tuniziane arritën të shpëtojnë 30 prej tyre, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonë për gjetjen e të mbijetuarve apo trupave të tjerë.

Tunizia mbetet një nga pikat kryesore të nisjes së migrantëve nga Afrika e Veriut drejt Evropës, me shpresën për të arritur në brigjet italiane. Në disa zona, distanca nga bregdeti tunizian deri në ishullin italian të Lampeduzës është më pak se 150 kilometra, çka e bën rrugën detare një nga më të përdorurat, por edhe më të rrezikshmet.

Autoritetet tuniziane nuk kanë dhënë ende informacion mbi origjinën e saktë të viktimave apo arsyet që çuan në mbytjen e varkës, por moti i keq dhe kushtet e vështira të udhëtimit shpesh janë faktorë kryesorë në ngjarje të tilla tragjike.

img 7418

About The Author