Tragjedi në Itali: 23-vjeçari shqiptar vritet me thikë në Perugia pas një sherri banal
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin italian të Perugias gjatë natës, ku një 23-vjeçar me origjinë shqiptare është vrarë me thikë pas një konflikti të çastit. Viktima është identifikuar si Hekuran Cumani, i lindur dhe rritur në Itali, në qytetin e Fabrianos, por me rrënjë shqiptare.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi në parkingun pranë fakultetit të Matematikës, në zonën ku i riu ndodhej me disa miq për një mbrëmje argëtimi. Pas disa ndalesave në lokale, grupi ishte drejtuar drejt vendit të njohur “110 Caffè”, ku më pas nisi sherri fatal.
Aty, Hekurani dhe miqtë e tij u përballën me një tjetër grup të rinjsh – gjithashtu të huaj, por banorë të Perugias. Pas një debati verbal, situata degjeneroi në dhunë, dhe një prej personave të grupit tjetër e goditi 23-vjeçarin me thikë në qafë dhe gjoks, duke e lënë të vdekur në vend.
Në vendngjarje mbërriti menjëherë ambulanca, por mjekët nuk mundën të bënin asgjë për ta shpëtuar të riun. Gjurmët në asfalt tregojnë se ai është përpjekur të largohet për disa metra pas goditjes, përpara se të binte përtokë pranë hyrjes së fakultetit.
Policia italiane ka marrë në pyetje miqtë e viktimës, të cilët kanë dhënë detaje të rëndësishme për identifikimin e autorit të dyshuar. Aktualisht po vijojnë marrjet në pyetje dhe analizat e pamjeve të kamerave të sigurisë për të rindërtuar saktësisht ngjarjen dhe për të bërë të mundur kapjen e vrasësit.
Autoritetet italiane kanë bërë me dije se motivi i krimit nuk lidhet me çështje droge apo universitare, por me një konflikt të çastit që përfundoi në mënyrën më tragjike të mundshme.
