Tragjedi në familjen e futbollistit të Tiranës, Freddy Alvarez, ndërron jetë vajza e tij- bije nga krevati dykatësh
Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e sotëm komunitetin sportiv shqiptar. Vajza e futbollistit të KF Tiranës, Freddy Alvarez, është ndarë tragjikisht nga jeta në kryeqytet.
Sipas dyshimeve paraprake të policisë, ngjarja lidhet me një rënie aksidentale nga krevati dykatësh (i njohur si “marinar”), e cila ka shkaktuar dëmtime të rënda dhe të parikuperueshme. Prindërit e kanë gjetur vajzën ende me shenja jete dhe e kanë dërguar me urgjencë në spital, por pavarësisht ndihmës së specializuar mjekësore, ajo nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve.
Klubi i Futbollit Tirana ka reaguar zyrtarisht duke shprehur dhimbjen e thellë dhe solidaritetin e plotë me lojtarin dhe familjen e tij:
“Me dhimbje të thellë ndajmë lajmin se vajza e lojtarit tonë, Freddy Alvarez, ka ndërruar jetë tragjikisht. I gjithë klubi ynë është i tronditur dhe qëndron pranë Freddyt dhe familjes së tij në këto momente të vështira. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Alvarez. U prehtë në paqe.”
Edhe Federata Shqiptare e Futbollit ka shprehur ngushëllimet e saj dhe, në shenjë respekti dhe solidariteti, ka vendosur shtyrjen e ndeshjes Tirana–Flamurtari, e planifikuar për sot në stadiumin “Selman Stërmasi”. Takimi do të zhvillohet nesër në orën 13:30.
KF Tirana dhe gjithë futbolli shqiptar mbeten në zi për këtë humbje të rëndë dhe të parakohshme.
