Tornadoja godet Parisin-një i vdekur dhe disa të plagosur
Një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur si pasojë e një tornadoje që goditi rajonin Val d’Oise, në veri të Parisit, mbrëmjen e së hënës.
Lajmin e konfirmoi ministri francez i Brendshëm, Laurent Nunez, i cili deklaroi se autoritetet po ndjekin nga afër situatën dhe po ofrojnë ndihmë për të prekurit. “Jemi në kontakt të vazhdueshëm me shërbimet emergjente në terren. Mendimet tona janë me familjen e viktimës dhe me të plagosurit”, tha Nunez.
Sipas mediave franceze, tornadoja goditi zonën e Ermont, ku tre vinça ndërtimi u rrëzuan, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Prefektura njoftoi se katër persona janë plagosur rëndë dhe po marrin trajtim mjekësor në spitalet lokale.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë rrugë të shkatërruara, pemë të rrëzuara dhe automjete të dëmtuara. Banorët e zonës u tronditën nga forca e erës, e cila, sipas dëshmive, u shfaq papritur dhe për disa minuta shkaktoi kaos.
“Doja të flija pak, kjo më shpëtoi, sepse qepenat e mia ishin të mbyllura. Dritaret e mia nuk shpërthyen si tek fqinjët e mi. Kur hapa qepenat, pashë pemë të shkulura mbi makinën time. Në kantierin përballë pashë një trup të mbuluar me një çarçaf të bardhë… e dija që kishte një person të vdekur,” rrëfeu banori lokal Othman për mediat franceze.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të vlerësuar dëmet dhe për të përcaktuar masat e nevojshme të sigurisë. Ndërkohë, meteorologët paralajmërojnë për mundësi të tjera stuhish në rajonet veriore të Francës gjatë ditëve në vijim.
