Sot përvjetori i vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova
Sot shënohet përvjetori i vdekjes së presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, i cili u nda nga jeta më 21 janar 2006 dhe u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Ibrahim Rugova lindi në Istog, ku përfundoi edhe shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Pejë në vitin 1967. Studimet universitare i përfundoi në Fakultetin Filozofik në Prishtinë, në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.
Gjatë vitit akademik 1976–1977, ai qëndroi në Paris, në École Pratique des Hautes Études, nën mbikëqyrjen e profesorit të njohur Roland Barthes, ku u përqendrua në studimet e teorisë letrare. Doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Prishtinës në vitin 1984, në fushën e letërsisë.
Në vitin 1996 u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Karrierën profesionale e nisi si redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria”, si dhe më vonë në revistën “Fjala”. Për afro dy dekada, Rugova punoi si hulumtues në Institutin Albanologjik, ku shërbeu edhe si kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike”.
Në vitin 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, e cila u shndërrua në një bërthamë të rëndësishme të lëvizjes intelektuale dhe politike kundër regjimit komunist serb dhe jugosllav.
Më 23 dhjetor 1989, Rugova u zgjodh kryetar i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi hapur regjimin e atëhershëm. Nën udhëheqjen e tij, LDK u bë forca kryesore politike në vend.
Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare dhe Kuvendin e Kosovës, u hodhën bazat ligjore të pavarësisë së Kosovës, përfshirë Deklaratën e Pavarësisë më 2 korrik 1990, shpalljen e Kosovës Republikë dhe miratimin e Kushtetutës më 7 shtator 1990, si dhe referendumin për pavarësinë në vitin 1991.
Në zgjedhjet e para shumëpartiake më 24 maj 1992, Ibrahim Rugova u zgjodh President i Republikës së Kosovës, duke u rizgjedhur edhe në vitin 1998. Pas luftës, ai u zgjodh sërish president në mars 2002 dhe u rizgjodh më 2004.
Në përvjetorin e parë të vdekjes së tij, më 21 janar 2007, presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu e dekoroi Rugovën me urdhrin më të lartë shtetëror, “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në lirinë dhe pavarësinë e vendit.
