Skandal në Durrës: Supermarketi “Diambe” shiti çokollata me insekte

img 8784

Një rast shqetësues është konstatuar në qytetin e Durrësit, ku rrjeti i supermarketeve “Diambe” ka shitur për konsumatorët çokollata të ndotura me insekte.

Produkti në fjalë është “Talarki Money Euro” 100 g, që në pamje ngjan me monedha euro, por në përmbajtje rezulton i ndotur. Pas një denoncimi nga qytetarët, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka kryer një inspektim në magazinën e supermarketit “Diambe” në Katund të Ri, duke bllokuar menjëherë produktin dhe dërguar katër kampione për analiza laboratorike në ISUV, për të përcaktuar ngarkesën mikrobiologjike të tij.

Zyrtarja e AKU-së, Polikesen Drazho, u shpreh për median:

“Është konstatuar një sasi çokollate e denoncuar për prani të krimbave. Ky është një tregues fizik. Sasia e importuar është 2208 copë produkt, e importuar nga Polonia. Deri tani janë bllokuar 94 copë të produktit në markete të ndryshme të të njëjtit zinxhir.”

Sipas dokumenteve të siguruara nga Top Channel, çokollata ka origjinë polake, ndërsa importues është vetë supermarketi “Diambe”. Hetimet paraprake tregojnë se kushtet jo të përshtatshme të ruajtjes kanë favorizuar zhvillimin e insekteve brenda ambalazhit të çokollatës.

AKU ka nisur procedurat për ndëshkim administrativ dhe paralajmëron kontrolle të tjera në rrjetet tregtare për të parandaluar raste të ngjashme.

img 8784

About The Author