Shqipëria dhe Kosova me numrin më të lartë të të rinjve të papunë

img 6893

Shqipëria dhe Kosova renditen ndër vendet me përqindjen më të lartë të të rinjve që nuk janë as të punësuar, as në arsimim apo trajnim profesional, sipas një raporti të fundit të Bankës Botërore. Të dhënat tregojnë se rreth 30% e të rinjve në Kosovë dhe 20% në Shqipëri janë jashtë sistemit formal të punës dhe edukimit, një shqetësim serioz për zhvillimin ekonomik dhe social të të dy vendeve.

Raporti vëren se pjesa më e madhe e të rinjve në këto vende punojnë në aktivitete joformale, pa kontrata dhe pa mbrojtje ligjore, shpesh në punë të përkohshme dhe me të ardhura të ulëta. Kjo situatë vjen si pasojë e një sërë faktorësh, përfshirë mospërputhjen mes sistemit arsimor dhe kërkesave të tregut të punës, mungesën e programeve të specializuara të aftësimit profesional si dhe pamundësinë e të rinjve për të hyrë në tregun formal të punës për shkak të mungesës së përvojës.

Në rastin e Shqipërisë, sfida shtohet edhe më tej nga fenomeni i emigracionit, që ka boshatisur tregun vendas të punës. Sipas të dhënave, më shumë se 40% e shqiptarëve kanë lindur jashtë vendit, çka tregon se shumë familje shqiptare janë larguar ndër vite në kërkim të një jete më të mirë. Kjo tendencë ka ndikuar jo vetëm në strukturën demografike, por edhe në fuqinë punëtore të vendit.

Banka Botërore rekomandon që qeveritë e rajonit të rrisin investimet në arsim profesional dhe trajnime praktike, të forcojnë bashkëpunimin mes shkollave dhe bizneseve, si dhe të ndërmarrin politika konkrete për të nxitur punësimin e të rinjve dhe integrimin e tyre në tregun formal të punës. Ndryshe, këto vende rrezikojnë të përballen me një brez të tërë të humbur për sa i përket zhvillimit profesional dhe ekonomik.

img 6893

About The Author