Rama akuzon SPAK-un për mungesë veprimi për 21 Janarin: “Paguajmë rroga më të larta se Kryeministri e Presidenti dhe marrim vetëm duvara”

img 0951

Kryeministri Edi Rama akuzoi ashpër SPAK-un për mosveprim në zbardhjen e vrasjeve të 21 Janarit, gjatë një konference me familjarët e viktimave, duke thënë se për vite me radhë kjo çështje është trajtuar sikur “nuk ekziston”.

Rama theksoi se drejtësia ka munguar për atë që e cilësoi “krim shtetëror”, ndërsa nënvizoi se prokurorët e SPAK-ut paguhen më shumë se vetë Kryeministri dhe Presidenti.

“Në emër të drejtësisë së barabartë për të gjithë, prej plot 6 vjetësh ne u bëjmë veç duvara dhe hosanara dhe u paguajmë rroga ku e ku më të larta sesa vetja dhe presidentit, pa llogaritur justifikimin e gabimeve të tyre, ndonjëherë shqetësuese”, deklaroi Rama.

Ai rikujtoi ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, kur pas shpërndarjes së protestës, sipas tij, “tytat e pushkëve u drejtuan drejt trupave të protestuesve”, duke marrë jetën e katër personave dhe plagosur të tjerë.

Kryeministri u shpreh se familjarët e viktimave kanë jetuar 15 vite “në ankth dhe poshtërim”, pa drejtësi, pavarësisht reformës në drejtësi dhe vendimit të Gjykatës së Strasburgut.

“Është një gur që bëhet gjithnjë e më i madh çdo 21 janar, zhgënjimi juaj dhe pengu për mosardhjen e drejtësisë. Atyre që janë nën dhe nuk u ka ardhur ende koha të prehen të qetë”, tha Rama.

Ai shtoi se edhe strukturat speciale të drejtësisë nuk kanë ngritur asnjë akuzë reale për ngjarjen, as 15 vite pas saj.

“Fatkeqësisht, për vite me radhë, edhe vetë SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekziston. Ndërkohë ka hetuar dhe ngritur akuza edhe mbi bazën e një letre anonime, duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti”, u shpreh Kryeministri.

Rama përmendi gjithashtu rolin e Mark Nikës, xhaxhait të Aleks Nikës, i cili e çoi çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut.

Deklaratat e Kryeministrit pritet të rikthejnë në qendër të debatit publik rolin e SPAK-ut dhe ecurinë e hetimeve për një nga ngjarjet më të rënda në historinë e pas ’90-ës në Shqipëri.

img 0951

About The Author