Qeveria në detyrë e Kosovës ndan 26 milionë euro për studentët, pesë ditë para zgjedhjeve lokale

img 6697

Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar një paketë të re mbështetëse për studentët, vetëm pesë ditë para zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë, ka njoftuar se çdo student do të përfitojë nga 100 euro ndihmë financiare.

Sipas Kurtit, kjo masë vjen në kuadër të rritjes ekonomike që ka shënuar vendi kohët e fundit dhe ka për qëllim të lehtësojë barrën financiare të studentëve dhe familjeve të tyre në fillim të vitit të ri akademik.

“Në kuadër të kësaj rritjeje ekonomike, për shkak të fillimit të vitit akademik, do të ndajmë nga 100 euro për të gjithë studentët që plotësojnë kriteret, ashtu që ata dhe familjet ta kenë më të lehtë fillimin e vitit të ri akademik,” tha Kurti.

Në të njëjtën mbledhje, qeveria në detyrë ka miratuar edhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, me qëllim mbështetjen e atyre që studiojnë larg vendbanimit të tyre.

Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se për realizimin e kësaj mase janë ndarë gjithsej 26 milionë euro, të cilat do të përdoren për shpërndarjen e ndihmës për studentët.

Ndërkohë, kanë mbetur vetëm katër ditë fushatë deri në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Rrethi i ri zgjedhor për kryetarë komunash dhe kuvende komunale zhvillohet në një kontekst të rënduar politik, pasi edhe pas shtatë muajsh nga përfundimi i zgjedhjeve parlamentare, Kosova ende nuk ka arritur të formojë institucionet e reja qendrore të vendit.

img 6697

About The Author