Qeveria i “bën letrat gati”për shkarkimin e Erion Velisë
Tiranë, 16 tetor 2025 – Këshilli i Ministrave ka dorëzuar zyrtarisht këtë të enjte në Presidencë gjithë dokumentacionin dhe parashtrimet ligjore për shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas burimeve qeveritare, paketa përmban propozimin e Këshillit Bashkiak të Tiranës për shkarkimin e Veliajt si dhe vendimin përfundimtar të Këshillit të Ministrave, të firmosur nga kryeministri Edi Rama.
Në dokumente, theksohet se arsyeja kryesore e shkarkimit lidhet me “pamundësinë fizike të kryebashkiakut për të ushtruar detyrën që prej datës 10 shkurt 2025”, për shkak të masës së sigurisë “arrest me burg” që i është caktuar nga gjykata.
Gjithashtu, theksohet se gjykatat kanë refuzuar kërkesat për zëvendësimin e masës së sigurisë, çka ka bërë që Veliaj të mbetet i pezulluar nga detyra për një periudhë më të gjatë se tre muaj.
Në argumentimin ligjor, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka konstatuar se mungesa e zgjatur e kryebashkiakut “përbën shkak ligjor për shkarkim”, në bazë të nenit 62, shkronja “c” të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”.
Në përmbledhjen shpjeguese të projektaktit thuhet:
“Këshilli Bashkiak ka propozuar shkarkimin si rrugën e vetme ligjërisht të mundshme për të rikthyer normalitetin qeverisës në Bashkinë Tiranë. Ky vullnet politik dhe ligjor i përfaqësuesve të kryeqytetit nuk mund të neglizhohet, dhe Këshilli i Ministrave nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të finalizojë procedurën ligjore të shkarkimit.”
Projektvendimi, i miratuar nga qeveria, bazohet në vendimin nr. 69, datë 23 shtator 2025, të Këshillit Bashkiak të Tiranës, i cili konstatoi pamundësinë fizike të Veliajt për të ushtruar detyrën për më shumë se tetë muaj.
Tashmë, topi kalon në fushën e Presidentit të Republikës, i cili pritet të shprehet për dekretimin ose jo të shkarkimit të Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
