PS kërkon të heqë termin “përkatësi gjinore e shumëfishtë”: Në Shqipëri njihen vetëm dy gjini
Tiranë – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, me firmën e kreut të grupit Taulant Balla, ka depozituar në Kuvend 22 amendamente ndaj draftit të Ministrisë së Shëndetësisë, me qëllim bllokimin e njohjes së termit “përkatësi gjinore e shumëfishtë”.
Me këtë nismë, socialistët konfirmojnë zyrtarisht se në Shqipëri do të njihen vetëm dy gjini: mashkullore dhe femërore.
Ky veprim i mazhorancës vjen pas debatit publik të ndezur rreth interpretimeve se drafti fillestar i qeverisë mund të hapte rrugën për njohjen e “gjinive të tjera” përtej modelit klasik burrë-grua.
Në relacionin shpjegues që shoqëron amendamentet, thuhet se termat si “përkatësi gjinore” dhe “përkatësi gjinore e shumëfishtë” janë përdorur për të përfshirë “individët që për shkak të diversitetit seksual nuk e konsiderojnë veten as burrë e as grua”.
Sipas socialistëve, kjo “humbte konceptin klasik apo binar të gjinisë” në shoqërinë shqiptare.
Amendamentet ndryshojnë formulimet në disa nene të projektligjit – që nga neni i parë – duke zëvendësuar frazën “pavarësisht përkatësisë gjinore” me “trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”.
Në dokumentin zyrtar thuhet gjithashtu se futja e koncepteve të reja “ndikon në mosharmonizimin e ligjit me legjislacionin ekzistues, i cili pranon vetëm konceptin binar të gjinisë – burrë dhe grua”.
Kreu i grupit socialist, Taulant Balla, ka theksuar se as legjislacioni i Bashkimit Evropian për barazinë gjinore nuk njeh një ‘gjini të tretë’, duke argumentuar se ndryshimet e propozuara janë në përputhje me standardet europiane.
Me këto amendamente, PS e pozicionon qartë veten në mbështetje të konceptit tradicional të ndarjes gjinore në ligjin shqiptar.
