Policia e Shtetit publikon planin e masave për festat e fundvitit dhe fillimin e vitit 2026

img 0167

Policia e Shtetit ka bërë publike masat e posaçme që do të zbatohen për garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të Vitit të Ri 2026. Plani i hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit parashikon detyra të qarta për të gjitha strukturat policore vendore dhe qendrore, me synim parandalimin e incidenteve dhe ngjarjeve kriminale.

Sipas njoftimit zyrtar, masat përfshijnë shtimin e prezencës së shërbimeve policore me uniformë dhe të Policisë Kriminale në të gjithë territorin e vendit, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet menaxhimit të fluksit në pikat e kalimit kufitar, ku do të shtohen sportelet dhe burimet njerëzore. Në pikat tokësore do të intensifikohet bashkëpunimi me autoritetet homologe, me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. Po ashtu, do të rriten kontrollet në PKK dhe patrullimet në kufirin e gjelbër për parandalimin e krimeve kufitare.

Në drejtim të sigurisë rrugore, Policia njofton se do të intensifikohen kontrollet e qarkullimit duke përdorur mjete inteligjente shpejtësimatëse, dronë dhe alkooltestues, si dhe do të shtohen patrullat e Policisë Rrugore në akset urbane dhe interurbane, për të parandaluar aksidentet.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit ka përgënjeshtruar deklaratat e kreut të Sindikatës së Punonjësve të Policisë, Sadetin Fishta, sipas të cilave punonjësit e policisë janë urdhëruar të vendosin një numër të caktuar masash administrative. Autoritetet theksojnë se një urdhër i tillë nuk ekziston dhe se masat administrative përdoren vetëm për garantimin e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Masat e planit përfshijnë gjithashtu bashkëpunimin me pushtetin vendor, institucionet fetare dhe policitë bashkiake për mbarëvajtjen e ceremonive të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, si dhe rritjen e prezencës policore në sheshe publike, pedonale, objekte kulti, restorante, lokale dhe qendra tregtare me frekuentim të lartë.

Po ashtu, do të intensifikohen kontrollet ndaj subjekteve që tregtojnë lëndë piroteknike, në bashkëpunim me strukturat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe do të rritet gatishmëria policore në banka, zyra këmbimi valutor dhe objekte ku administrohen vlera monetare.

Ndërkohë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Reparti Special RENEA do të jenë në gatishmëri të plotë për të ndërhyrë në çdo moment, nëse do të jetë e nevojshme.

Në përfundim, Policia e Shtetit fton qytetarët të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë çdo rast paligjshmërie apo konflikt në numrin pa pagesë 112, gjatë gjithë ditëve dhe netëve festive.

img 0167

About The Author