Pano Ruçi: “Do të qëndroj çdo ditë për të nderuar kujtimin e djalit tim”
Pano Ruçi, babai shqiptar i Denisit, një prej viktimave të aksidentit tragjik hekurudhor në Tempit të Greqisë, ka njoftuar se do të qëndrojë çdo ditë në Sheshin Syntagma, pranë Monumentit të Ushtarit të Panjohur në Athinë. Ai ka deklaruar se do të jetë aty për të nderuar kujtimin e djalit të tij dhe të gjithë të rinjve që humbën jetën në mënyrë të pafajshme, në vendin ku janë shkruar me bojë të kuqe emrat e tyre.
Ruçi ka bërë thirrje për qytetarët dhe mbështetësit që ta shoqërojnë çdo natë në këtë homazh të përhershëm, duke mbajtur gjallë kujtimin e viktimave dhe kërkesën për drejtësi.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë pranuar kërkesën e tij për zhvarrosjen dhe autopsinë e trupit të të birit, përfshirë analizat e ADN-së, pasi ai pretendon se trupi në arkëmort nuk i përket Denisit.
Aksidenti në Tempit, i shkaktuar nga një gabim njerëzor dhe mungesa e sistemeve automatike të sinjalizimit, tronditi Greqinë dhe shkaktoi protesta masive kundër neglizhencës shtetërore. Pas tragjedisë, Ministri i Transportit dha dorëheqjen, ndërsa qeveria u zotua të modernizojë infrastrukturën hekurudhore për të shmangur përsëritjen e një ngjarjeje kaq të rëndë.
