Një vjeshtë kushtuar trashëgimisë dhe kulturës arumune

img 6709

Tri veprimtari dyditore, shumë njerëz, destinacione kulturore, strehëza shpirtërore, një tryezë informuese në kryeqytet dhe dhjetëra gatime të mrekullueshme nga duart e amvisave të Fierit, Korçës dhe Elbasanit – kështu mund të përmblidhet në pak fjalë projekti që u zhvillua në këtë fillim vjeshte, kushtuar trashëgimisë së pakicës kombëtare arumune.

Ky projekt, i organizuar nga Fondacioni “H.M.” me seli në Tiranë, u mbajt më 13-14 shtator, 20-21 shtator dhe 27-28 shtator 2025 përkatësisht në Fier, Korçë dhe Elbasan. Veprimtaritë iu kushtuan promovimit të kulinarisë arumune dhe u përmbyllën në fillim tetori me një tryezë informuese me përfaqësues të pakicave kombëtare në Komitetin për Pakicat Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

img 6708

Kulinaria arumune bazohet në përbërës të thjeshtë, por cilësorë: mishi i qingjit, djathrat dhe brumërat e përgatitura sipas recetave të vjetra.

“Jemi të ndërgjegjshëm që këto ekspozime gatimesh nuk kanë të bëjnë thjesht me promovimin e kulinarisë arumune, por edhe me përgjegjësinë për t’i njohur, ruajtur dhe përcjellë ato më tej. Për këtë po punojmë ngushtë me komunitetin arumun vendas, me artizane dhe amvisa për të ngritur një ofertë promovuese të kulinarisë arumune sa më të plotë, të qëndrueshme dhe të lidhur ngushtë me vlerat tona,” u shpreh Entela Binjaku, koordinatorja e projektit.

Cikli demonstrues nisi në qytetin e Fierit, ku një vend të veçantë zuri edhe artizanati arumun. Në këndet e ekspozitës demonstruese u vendosën objekte artizanale që dëshmonin pasurinë kulturore të kësaj pakice dhe ndërthurjen mes artit të kulinarisë dhe atij artizanal.

img 6711

Veprimtaria vijoi më 14 shtator, ku vizitorë dhe qytetarë u njohën nga afër me kulinarinë arumune, e cila bazohet në përbërës të thjeshtë por cilësorë – djathë, gjalpë, bylmet, mish qingji dhe brumëra tradicionalë të trashëguar brez pas brezi.

Veprimtaria e dytë u mbajt në Kishën e “Shën Sotirit” në Korçë, më 20-21 shtator 2025. Amvisat arumune të Korçës, përmes gatimit, shprehën traditat dhe vlerat e komunitetit të tyre, duke përcjellë historinë përmes shijeve. Ditën e dielë, më 21 shtator, vizitorë dhe besimtarë morën pjesë në “ekspozitën e shijes”, duke njohur recetat tradicionale dhe kuptimin kulturor të tyre.

img 6710

Projekti vijoi në Elbasan, më 27-28 shtator 2025, me veprimtarinë “Ekspozita e shijes” të mbajtur në Famullinë Ortodokse ‘Shën Nikolla’. Kjo ditë u nderua me praninë e Mitropolitit të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, Hirësisë Andoni, i cili hapi dyert e kësaj veprimtarie. Të pranishmit patën mundësinë të shijonin gatimet karakteristike të identitetit arumun të këtij qarku dhe recetat që ruajnë kulturën e historinë lokale.

Veprimtaria shërbeu si një urë lidhëse midis trashëgimisë dhe identitetit shpirtëror, duke afruar vendas, vizitorë dhe besimtarë.

Për ta përmbyllur projektin, Fondacioni “H.M.” zhvilloi më 3 tetor 2025 një tryezë informuese në sallën e konferencave të Hotel “Opera” në Tiranë. Të pranishëm ishin përfaqësues të pakicave boshnjake, greke, malazeze dhe egjiptiane, si dhe anëtarë të Komitetit për Pakicat Kombëtare.

E ftuar nderi ishte Lefteri Gjoshe, ish-mësuese, autore librash dhe njohëse e kulinarisë arumune, fituese e edicionit të dytë të programit televiziv “Gjyshet Milionere” të RTSH-së.

img 6709

Me pjesëmarrjen e amvisave lokale dhe mbështetjen e KPK-së, këto veprimtari u kthyen në një nderim për bukurinë e rrënjëve arumune, ku shijet e së kaluarës vijojnë të mbahen gjallë nga duart e amvisave.

About The Author