Mbi 1000 persona të bllokuar nga dëbora në Everest
Operacionet e shpëtimit janë në zhvillim në shpatet e largëta të Tibetit në malin Everest, ku një stuhi dëbore ka bllokuar afro 1,000 persona në kampe në anën lindore të malit, sipas mediave shtetërore kineze.
Qindra banorë vendas dhe ekipe shpëtimi janë mobilizuar për të pastruar dëborën që ka bllokuar qasjen në zonë, e cila ndodhet në një lartësi prej mbi 4,900 metrash.
Sipas mediave lokale, rreth 350 persona janë shpëtuar dhe janë drejtuar drejt sigurisë në qytetin e vogël Qudang, raportoi agjencia e lajmeve Reuters.
Reshjet e dendura të dëborës nisën të premten në mbrëmje dhe janë përkeqësuar në shpatet lindore të Everestit në Tibet – një zonë e njohur për alpinistë dhe turistë malorë.
“Ishte aq lagësht dhe ftohtë – hipotermia ishte një rrezik i vërtetë”, tha Chen Geshuang, pjesë e një grupi ecjeje, që arriti në Qudang, për Reuters.
“Moti këtë vit nuk është normal. Udhërrëfyesi tha se nuk kishte hasur kurrë një mot të tillë në tetor. Dhe ndodhi gjithçka shumë papritur”.

Ekipi i shpëtimit “Qielli Blu” i Tibetit mori një thirrje për ndihmë, ku thuhej se çadrat ishin shembur për shkak të dëborës së rëndë, dhe se disa alpinistë tashmë kishin filluar të shfaqnin shenja të hipotermisë, raportuan mediat shtetërore kineze.