Marrëveshje historike paqeje mes Izraelit dhe Palestinës, nënshkruhet në Egjipt nga Donald Trump
Një moment historik për Lindjen e Mesme është shënuar sot në Egjipt, ku u nënshkrua marrëveshja e re për paqen mes Izraelit dhe Palestinës. Marrëveshja, e cila mbyll dekada konfliktesh dhe përplasjesh në rajon, u firmos fillimisht nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili ishte gjithashtu udhëheqësi i planit për paqen.
Ceremonia u zhvillua në kuadër të Samitit të Paqes në Egjipt, ku morën pjesë mbi 20 udhëheqës botërorë. Të pranishëm ishin edhe liderët e Egjiptit, Turqisë dhe Katarit, të cilët konsiderohen si fuqitë garantuese të marrëveshjes.
Gjatë fjalës së tij, Trump u shpreh se kjo ngjarje shënon një moment unik në historinë moderne dhe një hap të madh drejt stabilitetit në Lindjen e Mesme.
“Siç mund ta shihni, ky është ndoshta takimi më i madh i vendeve për sa i përket pasurisë dhe pushtetit që ka ndodhur ndonjëherë, dhe është një nder i madh të jem pjesë e tij,” tha Trump në ceremoninë e nënshkrimit.
Mediat ndërkombëtare raportojnë se marrëveshja përfshin disa pika kyçe për bashkëpunim ekonomik, kufijtë dhe sigurinë ndërmjet dy vendeve. Udhëheqësit e pranishëm e kanë cilësuar këtë si “marrëveshjen e shekullit”, duke theksuar rolin ndërmjetësues të SHBA-së në arritjen e saj.
Në foto nga ceremonia shihet momenti kur Presidenti amerikan Donald Trump firmos marrëveshjen historike, përkrah liderëve të Izraelit dhe Palestinës.
