Kosovë: Sot mbahen zgjedhjet lokale në të gjitha komunat e vendit

img 6978

 Në Kosovë po mbahen sot zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit vendorë.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të drejtë vote kanë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues janë regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

KQZ ka njoftuar se vendvotimet janë hapur në orën 7:00 të mëngjesit dhe do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00. Në mbarë vendin janë organizuar 938 qendra votimi me gjithsej 2.625 vendvotime.

Për qytetarët që votojnë nga jashtë, votimi me postë ishte mundësuar nga 17 shtatori deri më 11 tetor.

Zgjedhjet po mbahen në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe ato me shumicë serbe në veri të vendit. Këto zgjedhje janë të parat pas një periudhe më shumë se dyvjeçare, gjatë së cilës Mitrovica e Veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë, pas dorëheqjeve të përfaqësuesve të Listës Serbe në nëntor 2022.

Në zgjedhjet e sotme, Lista Serbe ka paraqitur kandidatë për kryetarë komunash në të dhjetë komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Graçanicë, Shtërpcë, Novobërdë, Kllokot, Partesh dhe Ranillug – si dhe në Obiliq.

Kandidatë në këto komuna kanë paraqitur edhe parti të tjera serbe, si Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Demokracia Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Aleanca e Kosovës, si dhe disa iniciativa qytetare.

Ndërkohë, institucionet e Kosovës dhe misionet ndërkombëtare u kanë bërë thirrje qytetarëve që të votojnë lirshëm dhe pa ndikime të jashtme, duke theksuar rëndësinë e një procesi demokratik dhe të qetë zgjedhor.

img 6978

About The Author