Kledi Kadiu rrëfen periudhën më të vështirë të jetës: “Lindja e djalit u kthye në dhimbje të madhe”

img 1004

Koreografi i njohur Kledi Kadiu ka bërë një rrëfim prekës për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij personale, duke ndarë publikisht dhimbjen dhe sfidat që familja e tij ka kaluar pas lindjes së djalit, Gabriel.

I ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, Kadiu tregoi se një moment që për shumicën e familjeve shoqërohet me festë dhe gëzim, për ta u shndërrua në një plagë të thellë shpirtërore.

“U ndryshua gjithçka. Festa që çdo familje bën kur lind një fëmijë, për ne u shndërrua në një dhimbje të madhe. Fakti që ai ishte kaq i vogël… mospranimi i një prindi, pyetja e vazhdueshme ‘pse atij dhe jo mua’ ishte diçka që të shkatërron”, u shpreh koreografi.

Ai tregoi se periudha ishte e mbushur me ankth, lot dhe ndjenjën e pafuqisë përballë një realiteti të hidhur, por edhe me forcën për të vazhduar përpara.

“Ishte diçka që nuk e ndalon dot. Ajo kohë kaloi, dhe fatmirësisht gjithçka shkoi mirë për Gabrielin”, tha Kadiu, duke theksuar se sot familja jeton me shpresë dhe besim.

Në rrëfimin e tij, ai ndau edhe detaje mbi gjendjen shëndetësore të djalit, duke sqaruar se Gabrieli aktualisht ndjek kopshtin, megjithëse përballet me vështirësi shëndetësore.

“Ai sot shkon në kopsht, normalisht ka mungesat që ka çdo fëmijë me vështirësi, por shpresa është e lartë. Ishte një virus që mori një drejtim të rëndë… merret në momentin që dëmton pjesë të caktuara të trurit. I ka dëmtuar të folurit dhe lëvizjen, nuk ecën dot”, u shpreh Kadiu.

Rrëfimi i tij ka prekur publikun, duke sjellë në vëmendje forcën e prindërve përballë sprovave më të vështira dhe rëndësinë e shpresës edhe në momentet më të errëta.

img 1004

About The Author