Ish-shefi i Formula 1 rrëfen: Kam vajzë 70-vjeçare dhe djalë 5-vjeçar – dhe kjo është perfekte!

img 7839

Në moshën 95-vjeçare, Bernie Ecclestone, figura ikonike që drejtoi për dekada botën e Formula 1, vazhdon të befasojë me energjinë dhe qetësinë e tij ndaj jetës. Në një intervistë për median gjermane Bild, ai ka folur hapur për jetën familjare, përvojën e të qenit baba në një moshë të tillë dhe miqësitë e tij të vjetra.

Ecclestone është baba i katër fëmijëve: vajza e tij më e madhe, Deborah (70 vjeçe), është nga martesa e parë me Ivy Bamford; Tamara (41 vjeçe) dhe Petra (36 vjeçe) janë nga martesa e dytë me Slavica Radić; ndërsa djali i tij më i vogël, Ace (5 vjeç), është fryt i dashurisë me bashkëshorten aktuale, Fabiana (49 vjeçe).

Pas shitjes së Formula 1 për rreth 3,44 miliardë paund tek kompania Liberty Media, Ecclestone thotë se ka më shumë kohë për t’iu përkushtuar familjes. “Ace është një djalë i mrekullueshëm. Ai është i zgjuar, kureshtar dhe i interesuar për gjithçka,” u shpreh ai me krenari.

Fabiana, bashkëshortja e tij, tregoi se prindërimi i tyre funksionon si një ekip:

“Punojmë bashkë shumë mirë. Kur unë humbas durimin, Bernie i flet Ace-it me qetësi dhe i shpjegon se nuk mund të shikojë televizor për gjysmë ore, derisa të përfundojë detyrat.”

Ecclestone pranoi se ndjenja e të pasurit fëmijë me diferencë 65 vjet është e veçantë:

“Është e çuditshme dhe e mrekullueshme njëkohësisht. Kur shikon vajzën më të madhe dhe djalin më të vogël, kupton sa shumë gjëra kanë ndodhur ndërmjet.”

Në intervistë, ai foli edhe për miqësitë e rralla në jetën e tij, duke treguar se ka pasur vetëm katër miq të vërtetë, prej të cilëve tre kanë ndërruar jetë: piloti austriak Jochen Rindt, ish-presidenti i FIA-s Max Mosley, dhe kampioni i trefishtë botëror Niki Lauda.

I vetmi mik i gjallë, sipas tij, është Flavio Briatore, ish-drejtuesi i skuadrës Renault.

Ecclestone kujtoi me humor një episod nga miqësia e tyre:

“Kur jahti i Flavios u sekuestrua nga autoritetet italiane për një çështje taksash në vitin 2010, unë e bleva në ankand dhe më pas ia shita sërish atij, për çmimin e ankandit plus një dollar.”

Edhe në këtë moshë, Bernie Ecclestone mbetet një figurë që frymëzon. Ai dëshmon se energjia, humori dhe dashuria për familjen nuk kanë moshë, duke vazhduar të jetë një simbol i pasionit dhe vendosmërisë në jetë.

img 7839

About The Author