Ish-kryeministri Fatos Nano në gjendje të rëndë shëndetësore

img 7317

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe po trajtohet aktualisht në repartin e reanimacionit.

Sipas burimeve mjekësore, rreth 10 ditë më parë Nano pësoi një arrest kardiak në banesën e tij. Falë ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve, ai arriti të rikthehej në jetë, por pësoi dëmtime në tru dhe që prej asaj kohe është nën kujdes intensiv.

Fatos Nano, 73 vjeç, prej vitesh vuan nga insuficienca respiratore, një sëmundje kronike që kufizon funksionimin normal të mushkërive. Për shkak të kësaj gjendjeje, ai është përballur me probleme të përsëritura shëndetësore dhe ka kërkuar shpesh trajtim spitalor.

Në gusht të vitit 2023, gjendja e tij u përkeqësua ndjeshëm, duke e detyruar të intubohej për gati një muaj. Burime pranë familjes bëjnë me dije se prej asaj kohe, Nano ka pasur luhatje të vazhdueshme në shëndet, ndërsa muajt e fundit ka qëndruar më shumë në kujdes mjekësor të specializuar.

Fatos Nano ka qenë një ndër figurat më të rëndësishme të politikës shqiptare pas viteve ’90, themelues i Partisë Socialiste të Shqipërisë dhe disa herë Kryeministër i vendit.

Aktualisht, familja e tij nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare, ndërsa burime spitalore bëjnë të ditur se gjendja e tij mbetet kritike, por nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.

img 7317

About The Author