Humbje e madhe për komunitetin shqiptar në Kanada, ndërron jetë mjeku Agron Alija

img 7433

Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Kanada. Mjeku i njohur Dr. Agron Alija ka humbur jetën në një aksident tragjik. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Ambasada e Shqipërisë në Kanada përmes një njoftimi zyrtar.

“Me dhimbje të thellë mësuam lajmin tronditës për ndarjen e parakohshme nga jeta të Dr. Agron Alija. Në emër të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe në emrin tim personal, shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Dr. Alija për këtë humbje të pazëvendësueshme,” thuhet ndër të tjera në reagimin e ambasadës.

Në njoftim, Dr. Alija përshkruhet si një figurë e shquar e komunitetit shqiptar në Kanada, një profesionist i përkushtuar në fushën e mjekësisë dhe një njeri me shpirt fisnik, që kontribuoi me dashuri e integritet në shërbim të njerëzve. Ai ishte mjek dhe Profesor i Asociuar në Shkollën e Mjekësisë dhe Stomatologjisë “Schulich” në London, në provincën e Ontarios, dhe kishte dhënë një kontribut të rëndësishëm në qytetet Hamilton dhe London.

“Humbja e tij la një boshllëk të madh jo vetëm për familjen, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njihnin dhe ta vlerësonin,” thuhet më tej në njoftim.

Ambasada shprehu ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e mjekut të ndjerë, duke e përshkruar atë si “njeri fisnik, mjek të përkushtuar dhe mik të dashur.”

img 7433

About The Author