Grabitje si në film/ Në Luvër: Hajdutët morën 8 bizhuteri mbretërore në vetëm 7 minuta
Bizhuteri me vlerë miliona eurosh u vodhën nga Salla “Apollo”, ndërsa një pjesë e tyre tashmë është gjetur
Një grabitje spektakolare, e denjë për një film hollivudian, ka ndodhur në Muzeun e Luvrit në Paris. Brenda vetëm shtatë minutash, katër persona arritën të depërtojnë në Sallën “Apollo”, ku ekspozohen bizhuteritë e sundimtarëve francezë, duke marrë me vete disa nga veprat më të çmuara të artit perandorak.

Sipas Ministrisë Franceze të Kulturës, ndër objektet e marra nga hajdutët janë:
- Diadema nga seti i bizhuterive të Mbretëreshës Maria Amalia dhe Mbretëreshës Hortense
- Gjerdani dhe vathët nga seti me safirë i po të njëjtave mbretëresha
- Gjerdani me smerald dhe vathët me smerald nga koleksioni i Perandoreshës Maria Louise
- Brosha me 2,634 diamante, e blerë nga muzeu për 6.7 milionë euro
- Brosha relikere, një tjetër objekt historik i rrallë
- Tiara e Perandoreshës Eugenia, e blerë nga Luvri për 6.72 milionë euro

Sipas mediave franceze, përfshirë Le Parisien dhe BFMTV, katër grabitësit përdorën një kamion me pirun ngritës për të hyrë në katin e parë të ndërtesës, ku po kryheshin punime. Dy prej tyre ishin të veshur me jelekë të verdhë, duke u maskuar si punëtorë ndërtimi, ndërsa dy të tjerët qëndruan në skuterë për të ruajtur zonën.
Në pamjet e publikuara nga BFMTV, njëri prej autorëve shihet teksa sharron një vitrinë qelqi, ku ndodheshin “xhevahiret e Napoleonit” dhe “xhevahiret e sundimtarëve francezë”. Pas thyerjes së dy vitrinave, hajdutët morën bizhuteritë dhe u larguan me shpejtësi.

Policia gjeti në vendngjarje dy rrota prerëse, benzinë, doreza, një radio dore, një batanije, një jelek dhe një bizhuteri të dëmtuar — e cila rezultoi të ishte kurora e Perandoreshës Eugenia, gruaja e Napoleonit III.
Kjo kurorë përbëhet nga 1,354 diamante dhe 56 smeralde, dhe është një nga veprat më përfaqësuese të epokës perandorake franceze.
Gjithashtu, sipas Le Parisien, është gjetur edhe një objekt tjetër i vjedhur, por pa u bërë publik detaji se cili është.
Burime brenda muzeut konfirmuan se diamanti legjendar “Régent” – me peshë mbi 140 karat – nuk është prekur nga grabitja. Ky diamant është i njohur edhe si “i mallkuar”, për shkak të historisë së errët të pronarëve të tij.

Ministri i Brendshëm francez, Loren Nunez, deklaroi se grabitësit kishin një plan “shumë të mirëorganizuar” dhe e ekzekutuan në vetëm shtatë minuta.
Ndërkohë, Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, mbërriti menjëherë në vendngjarje, duke konfirmuar se “nuk ka persona të lënduar” dhe se “hetimet janë në vazhdim”.
“Një grabitje ndodhi këtë mëngjes në hapjen e muzeut të Luvrit. Nuk u raportua për të lënduar. Jam në vendngjarje me stafin e muzeut dhe policinë. Hetimet janë duke vazhduar”, – shkroi Dati në rrjetet sociale.
Muzeu i Luvrit mbetet institucioni më i vizituar kulturor në botë, me rreth 9 milionë vizitorë në vitin 2024, prej të cilëve 80% janë turistë të huaj.
Ngjarja ka tronditur opinionin publik francez dhe botëror, duke ngritur sërish pyetje mbi sigurinë e thesareve kombëtare.
