Dy persona janë arrestuar si të dyshuar për vjedhjen në Muzeun e Luvrit
Dy persona janë arrestuar gjatë një operacioni policor të zhvilluar të shtunën në mbrëmje, në kuadër të hetimeve për vjedhjen e bizhuterive që ndodhi një javë më parë në Muzeun e Luvrit në Paris.
Sipas mediave franceze, përfshirë Le Parisien, të arrestuarit dyshohet se janë pjesë e një bande me katër persona, që vodhi bizhuteritë nga Galeria Apollo, duke përdorur një ashensor mallrash për të hyrë në ndërtesë.
Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar, kur katër hajdutë të pajisur me vegla elektrike depërtuan me forcë në ndërtesën e muzeut, në mes të ditës, duke marrë me vete artikuj me vlerë të paçmuar nga një prej hapësirave më të famshme të Luvrit.
Sipas hetimeve, banda mbërriti në orën 09:30 të mëngjesit (06:30 GMT), pak pasi muzeu ishte hapur për vizitorët. Ata përdorën një ashensor mekanik të montuar në një automjet, për të hyrë në Galerie d’Apollon përmes një ballkoni pranë lumit Sena.
Fotografitë nga vendngjarja tregojnë shkallët e vendosura pranë një dritareje të katit të parë, përmes së cilës dy nga hajdutët hynë brenda, duke prerë xhamin me mjete elektrike.
Pas grabitjes, Ministri i Drejtësisë i Francës ka pranuar se protokollet e sigurisë “dështuan”, duke e cilësuar incidentin si një “imazh të tmerrshëm” për vendin dhe për muzeun më të vizituar në botë.
Hetimet vijojnë për identifikimin e dy anëtarëve të tjerë të bandës, ndërsa autoritetet franceze kanë intensifikuar kontrollet e sigurisë në të gjitha institucionet kulturore të Parisit.
