Do bënte grusht shteti në Rumani, arrestohet në Dubai mercenari pro-rus
Njerëz me lidhje të ngushta me Kremlinin kanë nisur një luftë për të parandaluar ekstradimin e Horacio Potra, nga Emiratet e Bashkuara Arabe në Rumani, ku ai akuzohet për përpjekje për të përmbysur rendin kushtetues, së bashku me politikanin e ekstremit të djathtë Calin Gheorghescu.
Siç raporton ‘Guardian’, Potra – një ish-legjionar në Legjionin e Huaj Francez dhe kreu i formacioneve ushtarake private në Afrikë – u arrestua më 24 shtator në aeroportin e Dubait, së bashku me djalin dhe nipin e tij, pak para se të hipnin në një fluturim për në Moskë.
Sipas autoriteteve rumune, Bukureshti po punon me Emiratet e Bashkuara Arabe për ta ekstraduar atë, ndërsa prokurori i përgjithshëm ka thënë se Potra po kërkon azil në Rusi. Një kërkesë për të anuluar urdhër-arrestin në Rumani u refuzua së fundmi nga një gjykatë.
Operacioni për të parandaluar ekstradimin po drejtohet nga Igor Spivak, kreu i Shoqërisë Ruse për Lindjen e Mesme (një organizatë me bashkëpunim të rregullt me Ministrinë e Jashtme Ruse), dhe Alexander Kalinin, një agjent moldav pro-rus i cili është arratisur në Moskë dhe po rekruton moldavë për të luftuar për Rusinë në Ukrainë.
Spivak thotë se ka punësuar avokatë në Emirate dhe po përgatitet të udhëtojë për në Dubai, megjithëse pranon se “situata është e vështirë” dhe ekstradimi mund të ndodhë menjëherë.
Potra ka një profil të lartë: ai ka punuar si truproje për udhëheqës (përfshirë emirin e Katarit), ka themeluar kompani ushtarake private dhe ka vendosur burra në zona konflikti nga Republika Qendrore Afrikane në Republikën Demokratike të Kongos – ku rreth 300 luftëtarë të tij u kapën nga M23 në janar dhe u riatdhesuan.
Në Rumani, reputacioni i tij u rrit si një bashkëpunëtor i ngushtë i Gheorgheescut, i cili fitoi një raund të parë surprizë të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024 përpara se rezultati të anulohej nga Gjykata Kushtetuese mes akuzave për ndërhyrje ruse.
Profili i errët i Potras
Një aktakuzë rumune akuzon Potrën dhe rrjetin e tij për përgatitjen e protestave të dhunshme pas anulimit të rezultatit, me autoritetet që gjetën armë të paligjshme dhe shuma të mëdha parash në bastisjet në shtëpitë e tij.
Ai akuzohet gjithashtu për evazion fiskal nga të ardhurat nga aktivitetet mercenare në Afrikë dhe financim të paligjshëm të fushatës Gheorgheescu (pagesa në para të gatshme, që mbulojnë qiranë e një limuzine luksoze), siç dëshmohet nga mesazhet dhe faturat në dosjen e çështjes.
Pavarësisht mohimeve të lidhjeve me Rusinë, fotot, rezervimet e hoteleve dhe biletat e avionit të cituara nga autoritetet rumune e tregojnë atë duke udhëtuar shpesh në Moskë dhe duke marrë pjesë në ngjarje në ambasadën ruse në Bukuresht.
“Njerëzit e Kremlinit” që fshihen pas çështjes
Informacioni sugjeron se qeveria ruse ka miratuar jozyrtarisht ndërhyrjen e Spivak dhe Kalinin. Spivak, megjithëse pretendon se po vepron “me iniciativën e tij”, ka pranuar se organizata e tij “ka mbështetjen” e Ministrisë së Jashtme Ruse, pasi ajo “përbëhet nga ish-diplomatë dhe zyrtarë të ministrisë”.
Kalinin, nga ana e tij, është nën sanksione të BE-së dhe SHBA-së për veprime destabilizuese në Moldavi dhe ka kërcënuar të udhëheqë një “marshim drejt Kishinev” për të rrëzuar presidencën e pro-perëndimores Maia Sandu. Autoritetet moldave e konsiderojnë atë “një agjent aktiv të shërbimeve sekrete ruse”.
Pavarësisht sfondit dhe mobilizimit të grupeve ligjore në Emiratet e Bashkuara Arabe, “dritarja” për të bllokuar ekstradimin duket se po mbyllet. Bukureshti këmbëngul që Potra duhet të gjykohet në Rumani për krimet që i atribuohen – me Moskën që po e vëzhgon nga afër dhe kanalet e saj të ndikimit që po i testojnë kufijtë e tyre.
