Digjet banesa në fshatin Kosovë e vogël të Lushnjes, dyshohet zjarr i qëllimshëm
Një banesë e pabanuar është shkrumbuar plotësisht nga flakët në fshatin Kosovë e Vogël, në njësinë administrative Fiershegan. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të fundit, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse të Lushnjes dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Zjarrfikësit kanë arritur të vënë nën kontroll flakët, duke shmangur përhapjen e zjarrit në banesa të tjera përreth. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas të dhënave paraprake, banesa ishte në pronësi të shtetasit Fiqiri Nexha dhe prej vitesh nuk ishte e banuar, pasi pronari nuk jetonte në zonë. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se pronari i kishte lënë porosi një fqinji që të kujdesej për banesën, të cilën e vizitonte vetëm herë pas here.
Ka qenë pikërisht fqinji ai që ka konstatuar zjarrin dhe ka njoftuar menjëherë shërbimin zjarrfikës.
Policia po kryen veprimet procedurale dhe po heton shkaqet e rënies së zjarrit, ndërsa dyshohet se ai mund të ketë qenë i qëllimshëm. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
