Devoll/ Dy punonjëse të Postës Shqiptare nën hetim për vjedhjen e 22 milionë lekëve
Dy punonjëse të Postës Shqiptare në Devoll janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë përvetësuar rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e institucionit.
Sipas policisë, bëhet fjalë për Paola Shahollin, 29 vjeçe, përgjegjëse e zyrës postare në Vishocicë, dhe Eda Çelikun, 27 vjeçe, arkëtare-llogaritare në degën postare Devoll, të dyja banuese në Bilisht. Dyshohet se vjedhja është kryer në bashkëpunim gjatë periudhës shtator 2025 – janar 2026.
Nga hetimet paraprake rezulton se Shaholli ka përvetësuar fonde që përdoreshin për pensione dhe ndihmë ekonomike, kryesisht të pensionistëve që jetonin jashtë vendit, duke falsifikuar nënshkrimet e tyre për të justifikuar pagesat.
Ndërkohë, Çeliku dyshohet se ka manipuluar dhe falsifikuar mandatpagesat, si në librat e arkës ashtu edhe në sistemin e menaxhimit të parave cash, me qëllim mbulimin dhe favorizimin e përvetësimit të shumave nga kolegia e saj.
“Nga hetimet dyshohet se këto shtetase, duke shpërdoruar detyrën, kanë përvetësuar rreth 22 milionë lekë të rinj nga fondet e postës”, njofton policia.
Hetimet vijojnë, ndërsa strukturat ligjzbatuese po punojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe për rikuperimin e shumës së përvetësuar.
