Bujqësia shqiptare në krizë: Rënie për të tretin vit radhazi dhe ngrirje e fondeve europiane
Sektori i bujqësisë në Shqipëri, që ende zë rreth 15% të ekonomisë kombëtare, po përballet me një periudhë të vështirë dhe rënie të vazhdueshme. Për të tretin vit radhazi, prodhimi bujqësor ka shënuar ulje, ndërsa problemet e trashëguara vazhdojnë të rëndojnë mbi fshatin shqiptar.
Copëzimi i tokës, mungesa e mekanizimit, fragmentimi i tregut dhe politikat e paqëndrueshme të mbështetjes kanë krijuar një situatë të vështirë për fermerët, ndërkohë që emigrimi masiv po boshatis zonat rurale dhe po ul fuqinë punëtore.
Si rezultat, Shqipëria rrezikon të humbasë konkurrueshmërinë në rajon dhe të mos përfitojë plotësisht nga fondet e Bashkimit Europian për zhvillimin rural.
Problemet janë thelluar edhe më shumë pas hetimeve të Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF), e cila ka konstatuar parregullsi dhe keqpërdorime në rreth 33 milionë euro fonde të mëparshme. Pas këtyre gjetjeve, BE ka ngrirë përkohësisht 112 milionë euro nga programi IPARD, që synonte mbështetjen e bujqësisë dhe zhvillimit rural në Shqipëri.
Kjo situatë pritet të ketë pasoja afatgjata për fermerët shqiptarë, të cilët tashmë përballen me kosto në rritje, mungesë subvencionesh dhe pasiguri për të ardhmen e sektorit.
