Bie prodhimi ullirit, fermerët e Beratit dhe Elbasanit përballen me vështirësi
Grumbullues dhe përpunues të ullirit në zonat e Beratit dhe Elbasanit bëjnë me dije se prodhimi i ullirit, si për konsum të drejtpërdrejtë ashtu edhe për përpunim në vaj, është më i ulët se në vitin 2024. Deri në përfundim të sezonit, parashikohet që sasia e grumbulluar të jetë 30 deri në 40 për qind më pak.
Kastrijot Çuedari, përpunues nga Berati, thotë se kjo rënie është pasojë e temperaturave të larta gjatë verës, të cilat kanë vijuar edhe në vjeshtë, duke ndikuar negativisht në zhvillimin e fryteve të ullirit.
Edhe në zonën e Cakranit, Taulant Musaraj pohon se prodhimi mund të jetë 40 deri në 50 për qind më i ulët krahasuar me sezonin tetor-nëntor të vitit 2024, për të njëjtat arsye klimaterike. Ai shton se disa fermerë në këtë zonë kanë nisur vjeljen e prodhimit më herët se zakonisht.
Ndërkohë, Agron Çakalli nga Federata Bujqësore e Elbasanit thekson se përveç kushteve të motit, ndikim kanë pasur edhe cikli biologjik natyror i ullirit, ulja e shërbimeve agroteknike për shkak të mungesës së mjeteve financiare, si dhe pakësimi i numrit të fermerëve për shkak të emigracionit.
Megjithatë, sipas Silvana Subashit, përpunuese në këtë sektor, pavarësisht sasisë më të pakët që pritet sivjet, cilësia dhe rendimenti janë më të mirë sesa një vit më parë. Kjo pritet të përkthehet në vaj ulliri me cilësi më të lartë, përfshirë atë ekstra të virgjër, citon Monitor.
Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i ullirit në Shqipëri ka pasur luhatje të ndjeshme gjatë 26 viteve të fundit. Në vitin 2022 u arrit sasia më e lartë e prodhimit me 157.7 mijë ton, me një rritje prej 43 për qind krahasuar me vitin paraardhës. Rendimenti atë vit ishte 17.2 kv për hektar.
Përveç vitit 2022, një tjetër pikë e lartë e prodhimit është shënuar në vitin 2012, kur prodhimi arriti në 108 mijë ton, me një rritje prej 65 për qind krahasuar me 2011. Ky rezultat lidhet me subvencionet e ofruara nga qeveria gjatë periudhës 2009–2013.
Në vitin 2023, prodhimi ra në 117.6 mijë ton, me një ulje prej 25 për qind krahasuar me vitin 2022. Po ashtu, ra edhe rendimenti i prodhimit në 12.4 kv për hektar.
Në vitin 2024, sipas INSTAT, u prodhuan 146.7 mijë ton ullinj, me një rritje prej rreth 25 për qind nga një vit më parë. Megjithatë, rendimenti ra në 15.2 kv për hektar, me një ulje prej 2.8 kv për hektar krahasuar me vitin 2023.
Në kushtet e një sezoni të vështirë, prodhuesit dhe përpunuesit shpresojnë që cilësia më e lartë e frutit të kompensojë humbjen në sasi dhe të sigurojë një rendiment më të mirë për prodhimin e vajit.
