Babai i Ervis Martinajt kërkon në gjykatë shpalljen e djalit të tij “zyrtarisht të zhdukur”

img 7416

– Mustafa Martinaj, babai i Ervis Martinajt, ka paraqitur një kërkesë zyrtare në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, duke kërkuar që djali i tij të shpallet “zyrtarisht i zhdukur”.

Sipas dokumentit të dorëzuar në gjykatë, Mustafa Martinaj kërkon që të shpallet i zhdukur Ervis Martinaj, i lindur më 6 tetor 1982 në Burrel, me vendbanim në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin.

Në kërkesë thuhet se për Ervis Martinajn, i njohur si një nga personazhet më të komentuar të botës së lojërave të fatit në vend, nuk ka asnjë informacion të besueshëm që prej muajit gusht të vitit 2022, kur ai rezulton të jetë parë për herë të fundit.

Pas tre vitesh nga zhdukja misterioze, familja e tij i është drejtuar sistemit të drejtësisë për të nisur procedurat ligjore të shpalljes së të zhdukurit, të parashikuara në Kodin Civil, të cilat lejojnë që pas më shumë se dy vitesh mungesë të kontaktit dhe informacionit, një person të shpallet zyrtarisht i zhdukur me vendim gjykate.

Kjo kërkesë i hap rrugë procedurave të mëtejshme për administrimin e pasurisë dhe statusit ligjor të tij, ndërsa autoritetet hetimore deri më sot nuk kanë asnjë provë konkrete për fatin e Martinajt.

Ervis Martinaj u përfol gjerësisht në media pas zhdukjes së tij, ndërsa ka qenë nën hetim për veprimtari të dyshuara kriminale dhe lidhje me rrjete të lojërave të fatit. Pavarësisht kontrolleve dhe hetimeve të shumta në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin e Vlorën, asnjë gjurmë e tij nuk është gjetur.

Gjykata pritet të shqyrtojë në ditët në vijim kërkesën e paraqitur nga familja Martinaj dhe të vendosë nëse do ta pranojë shpalljen e Ervis Martinajt si person i zhdukur.

img 7416

About The Author