Arushë me tre këlyshë shfaqet në rrugën kryesore të Kolesjanit, moment i rrallë në Kukës
Një pamje e rrallë dhe mbresëlënëse është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Kolesjan të Kukësit, ku një arushë e rritur është shfaqur së bashku me tre këlyshët e saj, duke kaluar qetësisht në rrugën kryesore të fshatit.
Prania e familjes së arinjve në afërsi të zonës së banuar ka tërhequr vëmendjen e banorëve dhe ka sjellë një moment të pazakontë për zonën. Ngjarja është dokumentuar nga një banor i fshatit, Niki Ismailja, i cili po lëvizte me automjet dhe arriti të fotografojë arushën me këlyshët e saj, pa u rrezikuar.
Në pamjet e siguruara, kafshët duken të qeta dhe lëvizin së bashku, ndërsa vihet re instinkti natyror i nënës për të mbrojtur të vegjlit. Sipas banorëve dhe specialistëve të mjedisit, raste të tilla janë më të shpeshta në këtë periudhë, kur arinjtë zbresin nga zonat malore në kërkim të ushqimit.
Autoritetet lokale u bëjnë thirrje banorëve të tregojnë kujdes dhe të shmangin afrimin me kafshët e egra, duke njoftuar strukturat përkatëse në raste të ngjashme, për të garantuar sigurinë e njerëzve dhe mbrojtjen e faunës së egër.
