Arrestohet Fatmir Sheholli nën dyshime për spiunazh – Sveçla: Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar
Policia e Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokurorinë, ka arrestuar të enjten Fatmir Shehollin, nën dyshimet e bazuara për përfshirje në veprimtari spiunazhi.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ky rast përbën një ndër aktet më të rënda kundër sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës.
“Pres trajtim institucional me seriozitet të lartë të këtij rasti, i cili përbën një nga aktet më të rënda ndaj sigurisë dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Individë si ky që kanë pasur hapësira mediatike të pakufizuara në vendin tonë kanë bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar republikën tonë dhe progresin e saj. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm,” ka shkruar Sveçla.
Ai shtoi se mbrojtja e shtetit është përgjegjësi e lartë institucionale dhe morale, duke paralajmëruar se çdo person që cenon sigurinë kombëtare do të përballet me drejtësinë.
Ndërkohë, avokati Arbër Jashari ka sqaruar se vepra penale e spiunazhit është ndër më të rëndat sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, me dënime që mund të arrijnë deri në 10 vjet burgim, e në raste të veçanta edhe më shumë.
“Kjo është një fazë e hershme e procedurës penale, por vepra e spiunazhit rrezikon rëndë sigurinë e shtetit. Ligjvënësi ka paraparë dënime të ashpra për raste të tilla, sidomos kur dëmi është i madh për shtetin,” tha Jashari.
Hetimet janë në fazën fillestare, ndërsa pritet që Prokuroria Speciale të zbardhë detajet mbi veprimtarinë për të cilën dyshohet Fatmir Sheholli.
