A do të shembet Kulla Eifel në 2026?
Pretendime sensacionale se Kulla Eifel do të shembet në vitin 2026 janë përhapur gjerësisht në rrjetet sociale, pasi atraksioni turistik u mbyll përkohësisht këtë muaj për shkak të grevave në Francë, raporton Euronews.
Monumenti 330 metra i lartë, një nga simbolet më të njohura të botës, mirëpret miliona vizitorë çdo vit dhe vetëm në vitin 2023 gjeneroi 117.87 milionë euro të ardhura.
Kulla është ndër të paktat monumente franceze që nuk merr subvencione shtetërore dhe punëson mbi 300 persona në Paris.
Pse u mbyll Kulla Eifel këtë muaj
Në fillim të tetorit, banorët e më shumë se 200 qyteteve franceze dolën në protesta kundër shkurtimit të shpenzimeve të qeverisë dhe kërkuan rritje të taksave për të pasurit.
Në kryeqytet, mijëra protestues iu bashkuan grevave kombëtare, duke detyruar autoritetet që për arsye sigurie të pezullojnë përkohësisht hyrjen e vizitorëve në Kullën Eifel.
“Në lidhje me një grevë, ‘Kulla Eifel’ është e mbyllur. Kërkojmë ndjesë,” thuhej në një njoftim të vendosur në hyrje.
Si lindi lajmi i rremë për shembjen e Kullës
Burimi i zhurmës në internet është një faqe satirike, e cila disa javë më parë publikoi një artikull humoristik që pretendonte se Kulla Eifel do të rrënohej për t’u kthyer në një “rrëshqitëse gjigante” apo sallë koncertesh.
Historia u përhap jashtë kontekstit në rrjetet sociale dhe u kombinua me lajmet për mbylljen e përkohshme të monumentit.
Në platformën X (ish-Twitter), disa llogari me qindra mijëra ndjekës shpërndanë postime mashtruese që shpallnin se “epoka e Kullës Eifel po merr fund”, duke cituar “lodhjen strukturore” dhe “kostot e mirëmbajtjes” si arsye për një “vendim tronditës”.
Në realitet, asnjë institucion francez apo kompania operuese “Société d’Exploitation de la Tour Eiffel” (SETE) nuk ka konfirmuar apo komentuar ndonjë plan për shembje.
Në fakt, biletat për vizita vijojnë të shiten normalisht në faqen zyrtare të monumentit.
Rreziku i ‘fake news’ për turizmin
Ekspertët paralajmërojnë se përhapja e lajmeve të rreme mund të ndikojë negativisht në imazhin e destinacioneve turistike dhe të shkaktojë humbje të konsiderueshme ekonomike.
Sipas Ministrisë italiane të Ndërmarrjeve, përmbajtjet e manipuluara ndikojnë në 6 deri në 30% të të ardhurave të bizneseve në sektorin e turizmit dhe mikpritjes.
Për këtë arsye, Italia ka miratuar rregulla të reja që kërkojnë që turistët të verifikojnë vizitat e tyre përpara se të lënë një vlerësim në internet.
“Ky është një hap i rëndësishëm për mbrojtjen e bizneseve tona,” tha ministrja italiane e Turizmit, Daniela Santanché. “Vlerësimet e sakta dhe të verifikueshme janë thelbësore për suksesin e industrisë dhe për besimin e turistëve.”
