Paqja në Gaza/Liderët botërorë mirëpresin marrëveshjen për armëpushim

screenshot

Screenshot

Liderë nga e gjithë bota kanë reaguar pozitivisht ndaj marrëveshjes për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit. Ja çfarë kanë deklaruar disa prej tyre:

Turqia: Presidenti Recep Tayyip Erdogan shprehu “falenderime të veçanta” për Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, duke thënë se ai “shfaqi vullnetin politik të nevojshëm për të inkurajuar qeverinë izraelite drejt armëpushimit”. Në një postim në X, Erdogan tha se Turqia, si një nga ndërmjetësit e përfshirë, “do të monitorojë nga afër zbatimin e kujdesshëm të marrëveshjes” dhe se “do të vazhdojmë luftën tonë deri në themelimin e një shteti palestinez”.

Britania: “Ky është një moment lehtësimi të thellë që do të ndihet në mbarë botën, veçanërisht për pengjet, familjet e tyre dhe për popullsinë civile të Gazës, të cilët kanë përjetuar vuajtje të paimagjinueshme gjatë dy viteve të fundit”, tha Kryeministri Keir Starmer, sipas agjencisë britanike të lajmeve Press Association.

Kanadaja“Urime Presidentit Trump për udhëheqjen e tij vendimtare dhe falenderime për Katarin, Egjiptin dhe Turqinë për punën e palodhur në mbështetje të negociatave”, tha Kryeministri Mark Carney. “Jam i lehtësuar që pengjet do të ribashkohen së shpejti me familjet e tyre”.

Rusia: “Ne padyshim mbështesim këto përpjekje”, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për gazetarët, sipas mediave shtetërore. “Shpresojmë që nënshkrimet të bëhen sot dhe që të pasojnë veprime për zbatimin e marrëveshjeve”.

India: Kryeministri Narendra Modi tha se shpreson që lirimi i pengjeve dhe ndihma humanitare e shtuar për popullin e Gazës do t’u sjellë lehtësim dhe do të hapë rrugën për paqe të qëndrueshme.

Pakistani: “Njoftimi për një marrëveshje që do t’i japë fund gjenocidit në Gaza është një mundësi historike për të siguruar paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme”, tha Kryeministri Shehbaz Sharif.

Australia: “Pas më shumë se dy vitesh konflikt, pengje të mbajtura dhe humbje shkatërruese të jetëve civile, ky është një hap shumë i nevojshëm drejt paqes”, thanë Kryeministri Anthony Albanese dhe Ministrja e Jashtme Penny Wong në një deklaratë të përbashkët. “U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të respektojnë kushtet e planit.”

Zelanda e Re: “Njoftimi i Presidentit Trump … është një moment kyç në një konflikt që ka marrë shumë jetë”, tha Kryeministri Christopher Luxon. “Zelanda e Re mirëpret lajmin dhe shpreson që kjo të ofrojë një platformë për një zgjidhje të qëndrueshme ku brezat e ardhshëm të izraelitëve dhe palestinezëve të jetojnë në paqe dhe siguri”.

Argjentina: Presidenti Javier Milei përgëzoi homologun e tij amerikan, duke e quajtur marrëveshjen historike dhe një “kontribut të jashtëzakonshëm për paqen ndërkombëtare”, në një postim në X.

screenshot

About The Author