Linja direkte Tiranë–New York, nga 650 euro vajtje-ardhje – detajet për fluturimin dhe avionët që do përdoren
Çmimi i biletave për linjën e re direkte Tiranë–New York pritet të nisë nga 650 euro vajtje-ardhje, ndërsa kompania Delta Airlines është në fazën e negociatave me Tirana International Airport (TIA) për të nisur fluturimet gjatë vitit të ardhshëm.
Sipas burimeve zyrtare, Delta pritet të operojë fillimisht me avionë Boeing 767 dhe Airbus A330, të cilët kanë kapacitet nga 230 deri në 270 pasagjerë, në varësi të konfigurimit. Këta avionë me “kabinë të gjerë” përdoren zakonisht për linja transoqeanike me distancë të gjatë.
Kohëzgjatja e fluturimit
Fluturimi direkt nga Tirana drejt New Yorkut do të zgjasë rreth 9 orë e gjysmë deri në 10 orë e 20 minuta, në varësi të kushteve atmosferike dhe tipit të avionit.
Zgjerimi i pistës dhe fluturimet transoqeanike
Me zgjatjen e pistës së aeroportit të Rinasit, do të mundësohet ulja e avionëve të mëdhenj që përdoren për linja të gjata, duke e kthyer Tiranën në një nyje të rëndësishme tranziti për pasagjerët nga rajoni që udhëtojnë drejt SHBA-së.
Deri më tani, udhëtarët shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara kanë përdorur kryesisht Vjenën, Frankfurtin ose Beogradin si pika tranziti. Linja e re pritet të konkurrojë drejtpërdrejt me Beogradin, duke tërhequr udhëtarë edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Delta Airlines, një nga kompanitë më të mëdha ajrore në botë, operon me një flotë që përfshin modelet Boeing 717, 737, 757, 767, 777 si dhe Airbus A220, A320, A330 dhe A350. Flota e saj ka një moshë mesatare prej rreth 15 vjetësh, ndërsa avionët e serisë Airbus janë disi më të rinj.
Nëse linja Tiranë–New York rezulton e suksesshme, Delta mund të zgjerojë operimin me avionë më të mëdhenj si Airbus A350 ose Boeing 777 në një fazë të mëvonshme./albnews
