Kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë në Gjermani sulmohet 16 herë me thikë, në gjendje kritike
Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Gjermani, ku kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë së qytetit Herdecke, Iris Stalzer, është sulmuar brutalisht me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
57-vjeçarja, anëtare e Partisë Socialdemokrate (SPD), është goditur 16 herë në bark dhe shpinë në banesën e saj mëngjesin e së martës.
Sipas raportimeve të “Bild”, në momentin e sulmit në apartament ndodheshin edhe dy fëmijët e saj të adoptuar, një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare. Fillimisht, djali ka thirrur ndihmën dhe ka deklaruar se nëna e tij ishte sulmuar nga persona të panjohur në rrugë, por hetuesit nuk kanë gjetur prova që mbështesin këtë version.
Policia gjermane e ka shoqëruar djalin me pranga dhe e ka veshur me një uniformë të posaçme për të ruajtur gjurmët e mundshme të gishtërinjve. Autoritetet kanë sqaruar se kjo është një procedurë standarde për të mos dëmtuar provat e mundshme, ndërsa hetimet janë ende në zhvillim.
Burime policore kanë deklaruar se deri tani nuk ka asnjë provë që tregon për një motiv politik pas ngjarjes. Pista kryesore që po hetohet është ajo e dhunës në familje.
Sipas “Spiegel”, në verën e kaluar vajza 17-vjeçare e Stalzer dyshohet se e kishte sulmuar më parë nënën e saj me thikë në të njëjtën banesë. Të dy adoleshentët janë aktualisht nën hetim, ndërsa ende nuk është bërë asnjë arrestim zyrtar.

Iris Stalzer është avokate e specializuar në të drejtën familjare dhe një figurë e njohur në politikën lokale të Herdecke. Ajo ka qenë anëtare e këshillit bashkiak dhe e komitetit të të rinjve për shumë vite.
Më 28 shtator 2025, Stalzer u zgjodh kryetare bashkie me 52.2% të votave, me mbështetjen e Partisë së Gjelbër, duke mposhtur kandidatin konservator të CDU-së, Fabian Konrad Haas.
Aktualisht, ajo ndodhet në spital në gjendje kritike, ndërsa mjekët po luftojnë për t’i shpëtuar jetën. Policia gjermane ka intensifikuar hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje që ka tronditur Gjermaninë.