Këngëtarja me origjinë shqiptare, Dua Lipa, ka ndarë më në fund albumin e shumëpritur me fotografi nga dasma e saj me aktorin Callum Turner, duke zbuluar momente të veçanta nga ceremonia madhështore e zhvilluar në Sicili, Itali.
Fotot romantike tregojnë çiftin në ditën e tyre më të rëndësishme, mes festimeve luksoze, dollive me miqtë dhe familjarët, si dhe momenteve intime që kanë pushtuar rrjetet sociale. Në postimin e saj, Dua Lipa u prezantua si “Mrs.”, duke konfirmuar edhe një herë martesën me Turner.

Një nga detajet më të komentuara ka qenë fustani i saj i nusërisë. Ylli shqiptar u martua me një krijim ekskluziv të shtëpisë së modës Chanel, i realizuar posaçërisht për ceremoninë në Sicili. Fustani Haute Couture përfshinte mijëra pupla të punuara me dorë, një bisht të gjatë dhe detaje të qëndisura me kujdes.
Dasma në Sicili ishte pjesë e një feste disa ditore, e organizuar pas ceremonisë civile që çifti kishte zhvilluar më herët në Londër. Në festimet italiane morën pjesë emra të njohur të botës së muzikës dhe modës, duke e kthyer ngjarjen në një nga dasmat më të komentuara të vitit.
Fotot e publikuara nga Dua Lipa po marrin miliona pëlqime dhe komente, ndërsa fansat po e cilësojnë dasmën e saj si një përrallë moderne plot elegancë dhe stil.















