Ndërsa kryeministri Edi Rama vijon të deklarojë se “nuk ka marrëveshje” dhe se pa marrëveshje nuk mund të ketë projekt, dokumente teknike të nëntorit 2025 tregojnë ekzistencën e një masterplani të detajuar zhvillimi për zonën e Zvërnecit dhe Nartës, me 11 zona programore, hotele luksoze, marina, kazino dhe mijëra njësi akomodimi.
Dokumentet, të publikuara së fundmi nga Eric Czuleger, kryeredaktor i The Under Report, mbajnë emërtimet “Sazan Development” dhe “Sazan Peninsula”. Megjithatë, hartat dhe përshkrimet teknike të përfshira në to nuk i referohen ishullit të Sazanit, por përputhen me territorin e Zvërnecit dhe lagunës së Nartës, pjesë e Peizazhit të Mbrojtur Pishë–Poro–Nartë.
Sipas materialeve të publikuara, projekti parashikon një transformim të gjerë të zonës bregdetare dhe lagunore, duke përfshirë ndërhyrje në ekosistem, zhvillime turistike në shkallë të gjerë dhe infrastrukturë të dedikuar për turizëm elitar.
Dokumentet tregojnë kalimin drejt fazës së zbatimit
Dokumenti i parë, “Sazan Development – Request for Proposal” (RfP), mban datën 6 nëntor 2025 dhe kërkon shërbime arkitekturore, inxhinierike dhe projektimi për ndërtesa dhe infrastrukturë.
Në dokument përmenden studime të lidhura drejtpërdrejt me territorin e Nartës dhe Zvërnecit, përfshirë modelimin e cilësisë së ujit në lagunë, analizat e sedimenteve, studimet sizmike, vlerësimet e vijës bregdetare dhe analizat e stabilitetit të terrenit.
Sipas praktikave të zhvillimit imobiliar, një kërkesë e tillë për propozime zakonisht hartohet në fazën kur projekti është gati të kalojë nga planifikimi drejt zbatimit.
Masterplani: 11 zona zhvillimi dhe mbi 727 mijë m² ndërtim
Dokumenti i dytë, “Vision Masterplan – Book 2”, i datës 14 nëntor 2025, është hartuar nga studioja ndërkombëtare e arkitekturës LAVA (Laboratory for Visionary Architecture), ndërsa strategjia e mobilitetit është përgatitur nga kompania Systematica.
Sipas dokumentit, projekti mbulon 254.8 hektarë dhe parashikon 727,527 metra katrorë sipërfaqe ndërtimi të organizuar në 11 zona programore.
Ndër zonat e planifikuara përmenden:
- Sazan Citadel & Marina
- Cheval Blanc
- Sazan Cove
- Sazan Yacht Club
- Sazan Beach Villas
- Sazan Lake Villas
- Sazan Hills
- Casa Cipriani
- Atlantis
Masterplani parashikon rreth 3,200 njësi banimi dhe hotelerie, duke përfshirë vila luksoze të markuara, rezidenca për miliarderë, hotele të markave ndërkombëtare Aman, Cheval Blanc dhe Cipriani, si dhe një hotel “Atlantis” me 500 dhoma.
Po ashtu, dokumenti përfshin kazino, fusha golfi, qendër kalërimi, klube plazhi dhe një “citadelë” turistike e projektuar për të pritur deri në 10 mijë vizitorë në ditë.
Zona ekskluzive për individë me pasuri ultra të lartë
Një pjesë e konsiderueshme e projektit rezervohet për atë që dokumenti e përshkruan si “Ultra High Net Worth Individuals” (individë me pasuri ultra të lartë).
Sipas planit, kjo zonë do të ketë akses të kufizuar, pika kontrolli sigurie dhe plazhe private. Dokumenti e lidh gjithashtu zhvillimin me ambiciet e Shqipërisë për tërheqjen e investitorëve përmes skemës së njohur si “Golden Visa”.
Masterplani pranon ndërhyrje të mëdha në ekosistem
Dokumenti parashikon ndërhyrje të konsiderueshme në lagunë dhe territorin përreth.
Sipas të dhënave të përfshira në plan, do të kërkohej drenazhimi dhe thellimi i shtratit të lagunës me rreth 6 milionë metra kub materiale, në një sipërfaqe prej afro 525 mijë metrash katrorë.
Gjithashtu, projekti parashikon mbushje artificiale me rreth 2 milionë metra kub tokë për ngritjen e terrenit ku do të ndërtohen vilat, si dhe krijimin e liqeneve artificiale, kanaleve të lundrueshme dhe marinave të gërmuara në tokë.
Vetë dokumenti paralajmëron se drenazhimi i pakontrolluar mund të destabilizojë hidrologjinë e lagunës, të përshpejtojë erozionin dhe të ndikojë në balancën natyrore të sedimenteve.
Organizatat mjedisore konsiderohen “rrezik për zhvillimin”
Një tjetër element që bie në sy në dokument është mënyra se si trajtohen kundërshtimet mjedisore.
Autorët identifikojnë si rrezik për projektin aktivitetin e organizatave mjedisore, përfshirë Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania, të cilat kanë kërkuar kufizimin e ndërtimeve në zonat e mbrojtura.
Në analizën e rrezikut të projektit, mbrojtja ligjore e natyrës paraqitet si një pengesë që duhet menaxhuar dhe jo si një kufizim themelor për zhvillimin.
Debati për “8 përqindëshin”
Masterplani përdor argumentin se ndërtesat do të zënë më pak se 8% të sipërfaqes së tokës, një shifër e përdorur më herët edhe në deklarimet publike për zhvillimet në Sazan.
Megjithatë, tabela e përdorimit të tokës në të njëjtin dokument tregon se 53% e territorit klasifikohet si zonë zhvillimi, ndërsa vetëm 5% konsiderohet zonë e mbrojtur dhe e pazhvillueshme. Pjesa tjetër ndahet mes hapësirave rekreative dhe sipërfaqeve ujore të krijuara nga projekti.

Kjo diferencë mes sipërfaqes së ndërtuar dhe territorit të organizuar për zhvillim ka qenë në qendër të debatit publik mbi ndikimin real të projektit në peizazhin e mbrojtur të Pishë–Poro–Nartës, ku javët e fundit janë shënuar protesta qytetare të njohura si “Revolucioni Flamingo”.
o














