Divorci që tronditi opinionin publik: Akuzat për dhunë, përgjime dhe problemet me fëmijët
Ndarja e bujshme e moderatores Neda Balluku nga bashkëshorti i saj, Ogren Balluku, vëllai i zv/kryeministres Belinda Balluku, vijon të mbetet në fokus të vëmendjes publike, ndërsa konflikti mes tyre ka përfunduar në dyert e drejtësisë.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lëshoi një urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, pas pretendimeve për dhunë nga bashkëshorti i saj.
Vetëm disa ditë më vonë, ishte Ogren Balluku ai që iu drejtua Gjykatës së Tiranës, duke kërkuar gjithashtu pajisjen me urdhër mbrojtjeje. Në kërkesën e tij, ai pretendon se ka qenë subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale, psikologjike dhe herë pas here fizike nga ana e bashkëshortes.
Në dëshminë e dhënë para gjykatës, Ogren Balluku deklaron se është ofenduar rëndë me fjalë si “ordiner”, “hajdut”, “kriminel” dhe “kafshë”, si dhe është kërcënuar me shprehje të rënda, përfshirë: “Do të bëj të vrasësh veten”, “do prekësh fundin” dhe “mos gjetsh varr”.
Ai ka pretenduar gjithashtu se ndihet i përndjekur dhe i survejuar, duke deklaruar se Neda Balluku ka hapur kamerat e supermarketeve për të ndjekur lëvizjet e tij dhe të fëmijëve, si dhe ka paraqitur prova në gjykatë që, sipas tij, dëshmojnë përgjuarjen e banesës.
Sipas deklarimeve të tij, edhe dy djemtë e mitur janë përballur me dhunë psikologjike më 16 janar 2026, në ambientet e shkollës “Viktor Hygo”.
Megjithatë, pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e kërkesës së Ogren Ballukut, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes ndaj Neda Ballukut.
Nga ana tjetër, Neda Balluku ka mohuar kategorikisht akuzat e ngritura ndaj saj. Ajo pretendon se ish-bashkëshorti e pengon në mënyrë të paligjshme të takojë fëmijët, nuk zbaton vendimet e gjykatës dhe e ofendon në sy të tyre, duke i manipuluar kundër saj.
Sipas deklarimeve të saj, më 20 janar 2026 ajo është takuar me Ogren Ballukun vetëm në sallën e gjyqit dhe mohon çdo formë kërcënimi apo dhune fizike e psikologjike. Ajo thekson se ka bërë disa kallëzime penale dhe ka marrë urdhër mbrojtjeje për shkak se nuk është lejuar të takojë fëmijët sipas vendimeve gjyqësore në fuqi.
Çështja mes palëve vijon të jetë në shqyrtim nga autoritetet gjyqësore.
